2009-12-28 17:47:21

Në Engjëllin e Tënzot, Papa bëri thirrje për ta ndihmuar familjen e u lut për familjet në vështirësi.


(28.12.2009 RV)RealAudioMP3 festën e Familjes Shenjte, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot përballë mijëra shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri përsëri thirrje për ta ndihmuar e për ta promovuar familjen e bazuar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas. Ripohoi, më pas, se bijtë janë dhuratë e Zotit e jo pronë e prindërve dhe u lut, në mënyrë të posaçme, për familjet në vështirësi. Më pas, në lidhje video, përshëndeti pjesëmarrësit në Festën e Familjes Shenjte, në Madrid.

Benedikti XVI i ftoi të gjithë ta kundrojnë skenën e barinjve që, në Shpellën e Betlehemit, kanë përballë jo vetëm Foshnjen Hyjnore, por një familje të vogël: nënën, babain e ferishten e sapolindur. Hyji – nënvizoi – deshi të dëftohej, duke lindur në një familje njerëzore e prandaj familja njerëzore u bë ikonë e Zotit:
Hyji është Trini, është bashkim dashurie, e familja, me gjithë dallimin ndërmjet misterit hyjnor e krijesës së tij njerëzore, është shprehje, që pasqyron misterin e pamatshëm të Hyjit-Dashuri. Burri e gruaja, të krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, bëhen, në martesë, ‘një trup i vetëm”(Zn 2,24), domethënë, një bashkim dashurie, që lind jetën e re. Familja njerëzore, në një farë kuptimi, është ikonë e Trinisë, përmes dashurisë ndërmjet anëtarëve të saj e fekonditetit të dashurisë”.
Më pas Papa komentoi Ungjillin e djeshëm, i cili na kujton sesi Jezusi 12 vjeçar, mbetet në Tempull, në Jeruzalem, pa dijeninë e prindërve. Nënës, që i kërkon shpjegime, Jezusi i përgjigjet se duhet të merret me gjërat e Atit të tij:
“E ne pyesim: kush ia kishte mësuar Jezusit dashurinë për ‘gjërat’ e Atit? Sigurisht, si Bir, ai pati njohje intime me Atin, pati lidhje të thellë vetjake, të përhershme, me Atin e vet, por në kulturën e tij konkrete, natyrisht i mësoi nga prindërit lutjet, dashurinë për Tempullin e për institucionet e Izraelit. Mund të pohojmë, prandaj, se vendimi i Jezusit për të ndenjur në Tempull, ishte kryesisht fryt i lidhjes së tij të ngushtë me Atin, por edhe fryt i edukatës që kishte marrë nga Maria e Jozefi.”.
Këtu – vijoi Papa – mund të vërejmë kuptimin e vërtetë të edukatës së krishterë, si fryt i bashkëpunimit ndërmjet edukatorëve e Zotit:
“Familja e krishterë është e vetëdijshme se fëmijët janë dhuratë, sipas planit të Zotit. Gjithsesi, nuk mund t’i shikojë si pronë vetjake, por duke i shërbyer përmes tyre këtij plani, është e thirrur t’i edukojë në lirinë më të plotë, liri e njeriut i cili i thotë Zotit ‘po’, për të bërë vullnetin e tij. Shembulli më i përkryer i këtij pohimi, është Virgjëra Mari. Asaj ia besojmë të gjitha familjet, duke u lutur posaçërisht për misionin e tyre të çmuar edukativ”.
Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme, në gjuhën spanjolle – në lidhje video – pjesëmarrësve në festën e Familjes Shenjte, në Madrid:
“Dios, habiendo venido al mundo en el seno de una familia, manifiesta...
Zoti, duke ardhur në botë në gjirin e një familjeje, tregon se ky institucion është udhë e sigurtë për ta takuar e për ta njohur… Prandaj një nga shërbimet më të mëdha, që ne, të krishterët, mund t’u bëjmë të tjerëve, është të japim dëshminë tonë, të qartë e të vendosur, në mbrojtje të familjes së bazuar mbi martesën ndërmjet një burri e një gruaje, duke e mbrojtur e duke e promovuar, me që një institucion i tillë ka rëndësinë më të madhe për të sotmen e për të ardhmen e njerëzimit. Në të vërtetë familja është shkolla më e mirë, ku njeriu mëson t’i jetojë ato vlera, të cilat i japin dinjitet individëve e i bëjnë të mëdhenj popujt. Në të ndahen bashkë dhimbje e gëzime; provohet ngrohtësia e dashurisë, që mbretëron në shtëpi, për të vetmen arsye se aty banojnë anëtarë të së njëjtës familje. I lutem Zotit që në vatrat tuaja të ndjehet gjithnjë fryma e përkushtimit dhe e besnikërisë së plotë, të cilën Jezusi e solli në botë me lindjen e tij, duke e ushqyer e duke e forcuar këtë frymë me lutjen e përditshme, me praktikimin e vijueshëm të virtyteve, mirëkuptimin reciprok e respektin e anasjelltë”.
Në përfundim Papa iu drejtua shtegtarëve italianë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Në këtë të diele të Familjes Shenjte, uroj përzemërsisht të gjitha familjet e Romës e të mbarë Italisë, duke e shoqëruar urimin me një lutje të posaçme për ata që kalojnë çaste të vështira. Zoti ju bekoftë!”.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.