2009-12-28 17:48:04

Atë Lombardi: Papa ndër të varfërit, shembull i natyrshëm i bamirësisë së krishterë


(28.12.2009 RV)RealAudioMP3 Bamirësia e dashuria ungjillore ishin pra, në qendër të ngjarjes së djeshme në mensën e Bashkësisë së Shën Egjidit. Këtë nënvizon në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Papa flet shumë për dashuri. E ka vënë fjalën “dashuri” dy herë në titujt e tri Enciklikave të veta, por jo vetëm flet: Papa përpiqet edhe ta jetojë atë personalisht e të na japë modele e shembuj se si jetohet dashuria. Në fillim të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI vizitoi të sëmurët e pashërueshëm, dje vizitoi të varfërit dhe personat, që shkojnë në mensën e Bashkësisë së Shën Egjidit. Në shkurtin e ardhshëm do të shkojë edhe në mensën e Karitasit në Stacionin Termini. Takimi me ata që vuajnë, që janë të fundmit, që ndodhen në vështirësi, për Papën është detyrë, po edhe e natyrshme. Ky është një mesazh për krejt Kishën, por edhe për shoqërinë, pasi jemi në një botë ku mikpritja e personave të ndryshëm nga ne, mikpritja e më të dobtëve, mikpritja e të huajve, që flasin gjuhë të tjera, kanë kulturë e fe të tjera nuk është aq e lehtë. Sjell probleme, krijon vështirësi edhe për shoqërinë tonë. Papa na jep një shembull besimi në takimin me të tjerët, në përjetimin e solidaritetit dhe të miqësisë me ta.
Atë Lombardi, çfarë iu bëri më shumë përshtypje në këtë ngjarje?
Dy aspekte më kanë bërë më shumë përshtypje, duke parë Papën. I pari është takimi me fëmijët për t’u dhënë atyre dhuratat e personalizuara për secilin. Ishin rreth 30, nga dy deri shtatë vjeç. Ishin shumë të lezetshëm dhe vinin nga vende të ndryshme, flisnin gjuhë të ndryshme e kishin edhe ngjyra të ndryshme lëkure. Papa, si një plak i urtë, u drejtohej duke u dhënë një dhuratë e duke shprehur natyrshëm afërsinë e dashurinë e tij për ta. I dyti është dëgjimi i personave. Gjatë drekës, personat e ulur më larg i afroheshin Papës dhe i flisnin në vesh, i tregonin historinë e tyre. Papa dëgjonte këto histori dhe i përmendi edhe në fjalimin që mbajti, duke treguar se i mori me vete, i mbajti në zemër për t’ia paraqitur Zotit në lutje.
Këto ditë, pas aksidentit të Natës së Krishtlindjes, është folur shumë për masat e sigurisë. Por, Papa vazhdon të qëndrojë në mesin e njerëzve…
Sigurisht, e ky ishte një rast tipik në të cilin Papa, sapo të mbërrinte, do të gjendej në mesin e një turme të madhe, që do të shtyhej në hyrje për ta parë, për ta prekur, për t’i shtrënguar dorën, për t’i dhënë fëmijët që t’i puthë. Por edhe brenda, në dy sallat, kishte të paktën 200 vetë. Papa e përjeton si detyrë baritore takimin me popullin e Zotit e me popullin në përgjithësi, me të gjithë njerëzit. Nëse i heqim këtë, është si t’i hiqnim ajrin, ambientin natyror të shërbimit të tij pastoral. Sigurisht, duhet pasur kujdes, por nuk mund të shmangim atë që është thelbi i marrëdhënieve baritore të Papës me njerëzit. Kjo, nganjëherë sjell ndonjë rrezik. Fatmirësisht, shumica e njerëzve e do dhe e mbron si mundet më mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.