2009-12-27 13:10:10

Mesazhi i ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje


Ta dëgjojmë mesazhin e ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje.. RealAudioMP3

POROSIA PËR KRISHTLINDJE 2009

Meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, besimtarëve katolikë,
si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë,

“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe” (Is 9, 1).
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin!
Në prag të festës së Kërshëndellave, lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, po vij te Ju edhe njëherë, për të shprehë falënderimet e mia për gjithë dashurinë dhe mbështetjen Tuaj gjatë këtij viti. Njëkohësisht dëshiroj, që, së bashku me Ju, të falënderoj Zotin për të gjitha dhuratat që na i ka dhënë, për tërë hirin që e ka derdhur në ne dhe për gjithë dashurinë që ka treguar ndaj të tjerëve nëpërmjet nesh, gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Shpresoj shumë që, gjatë kohës së Pritjes (Adventit), me fuqinë e fesë dhe të besimit, kemi arritur të zbulojmë misterin e ngjarjes më të madhe të historisë së qiellit dhe të tokës: Mishërimin e Fjalës, Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit në Betlehem.
Nga dëshmia e shkrimeve të Shenjta, përvoja e fesë së Popullit të Zgjedhur dhe nga dëshmia e Kishës së Krishtit, zbulojmë se: Ngjarja e Betlehemit ishte momenti më vetëmohues i Hyjit dhe më fatlumi për njeriun. Vetëmohues, sepse Krishti ishte me natyrë Hyj, e barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundët pa të, por ia mohoi vetvetes këtë, e mori natyrën e shërbëtorit dxhe u bë i ngjashëm me njerëzit, që ne nëpërmjet përvujtërisë së Tij të fitojmë faljen e mëkateve, trashëgiminë e shenjtërve, bijësinë hyjnore (krh. 1 Kol 3, 12-20).
Krishtlindja, pra, është festa dhe ngjarja kur Zoti hyri në përvojën tonë njerëzore të tokës, dhe nga kjo përvojë na mësoi dhe na ftoi të hyjmë në përvojën hyjnore të Qiellit. Kjo përvojë e vajit të Tij njerëzor në djep, si dhe ajo e këngës sonë hyjnore në Kryq, mundëson shkëlqyeshëm pajtimin e përheshmë mes Zotit dhe njeriut, mes Qiellit e tokës.
Prandaj, jemi përgatitur me gëzim për të festuar Natën e Krishtlindjes, festën e një fillimi të ri dhe një jetë të re me Zotin.
Me ardhjen e Tij në botë, Jezu Krishti na e zbuloi dashurinë e Hyjit për ne dhe në mënyrë të përjetshme e “mishëroi” atë në zemrat e atyre që i besuan dhe nëpërmjet tyre vazhdon të rrezatojë dashuria e Tij mbi tokë dhe t’i ndriçojë zemrat e të gjithë njerëzve vullnetmirë.
Pra, Krishtlindja është misteri, i cili na zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, dhe njëkohësisht është edhe misteri që zbulon fytyrën e vërtetë të njeriut, sepse ia rikthen atij dinjitetin e humbur.
Kisha e përgjithshme e shpërndarë në katër anët e botës, duke dëshmuar ngjarjen e Betlehemit dhe duke dhuruar dashurinë, që Zoti i dha asaj në Jezu Krishtin, është sot “Shpella e Betlehemit” dhe vendshenjtërimi i të gjithë atyre që besojnë dhe ushtrojnë dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit.
Dimensioni tjetër i Festës së Krishtlindjes shfaqet gjatë ushtrimit të dashurisë dhe shejtërimit për të mbajtur gjallë shpresën, se: Ai do të vijë përsëri për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit! E, kur do të vijë, dëshirojmë të na gjejë duke iu lutur Atij e duke e lavdëruar Atë.
Krishtlindja na mëson se gëzimin duhet ta kërkojmë atje ku nuk presim ta gjejmë. Jo në një pallat, por në një shpellë; jo në një njeri të pushtetshëm, por në një Foshnjë të brishtë, jo në gjëra materiale, por në hirin që na u shfaq ne nëpër Jezu Krishtin i cili na mundëson që të jetojmë një jetë plot me urtësi, drejtësi dhe dashuri me Hyjin (krh. Tit 2, 12).
“Mos ki frikë!” – “Mos kini frikë!” Këto fjalë i dëgjojmë shpesh në liturgjinë e Krishtlindjes. I dëgjojmë nga goja e Isaisë për një popull të dëshpëruar, nga goja Engjëllit Lajmëtar për Marinë, që të pranonte të bëhej Nëna e Zotit, e më vonë edhe nga kori i engjëjve për barinjtë në Betlehem, që t’i japin lavdi Hyjit në më të lartin qiell . Këtë mision e ka Kisha që ta ftojë njeriun e shekullit XXI të mos ketë frikë, sepse si e kaluara, si e sotmja dhe e ardhmja, i takojnë vetëm Zotit, e ne mund të jemi trashëgimtarë të kohërave, vetëm nëpërmjet Tij.
Fort të dashur vëllezër dhe motra,
me të njëjtën fe dhe dashuri dëshiroj t’ju ftoj të gjithë juve që bashkë me ne kremtoni ose na uroni që të kremtojmë sa më mirë, të mos keni frikë nga askush dhe nga asgjë, sepse nëpër Krishtin jemi bërë trashëgimtarë të Pronarit të Qiellit dhe të tokës, prandaj, gjithçka e tij na takon edhe neve. Ju të varfër mos keni frikë të vuani varfërinë tuaj, ashtu siç Krishti s’kishte frikë të vuante mundimin e Kryqit. Ju të rinj mos keni frikë nga e kaluara, sepse ajo mund të përmirësohet sot dhe mos keni frikë nga e ardhmja, sepse ajo ju takon juve. Ju mund ta humbni atë, ose t’ia dhuroni plot fryte gjeneratave të ardhshme. Mos ke frik ti që të urrejnë, sepse është dashuria e Zotit që të gjithëve na krijon mundësinë të duam pa kufi dhe të jemi të gatshëm të falim çdoherë, pa shpërblim e pa kusht.
Të dashur,
nga përvoja shumëshekullore e fesë, ne të krishterët kemi dëshmuar se gjatë miqësisë me Krishtin, kemi mësuar t’i mbetemi besnikë fesë dhe të mos lejojmë që asnjë pasuri tokësore, asnjë fuqi dhe asnjë pushtet të mos na ndajë nga dashuria e Tij dhe që dashuria e jonë për të afërmin duhet të rrezatohet njëkohësisht për të gjithë njerëzit pa dallim, si për të vegjël, ashtu edhe për të mëdhenjë, si për të varfër, ashtu edhe për të pasur, si për njerëz të ditur, ashtu edhe për të paditurit, si për të mirë, ashtu edhe për të keqinjë. Nëse ndonjëherë vërehet çfarëdolloj ndasie, ajo kurrë nuk guxon të burojë nga mungesa e dashurisë së të krishterëve. Ne duhet dhe duam t’i duam të gjithë, pa dallim, edhe pse ata që i duam shpeshherë ndahen në ata që na përgjigjen me dashuri dhe në ata që na përgjigjen me urrejtje.
Vëllezër dhe motra, të dashur miq dhe ju njerëz vullnetmirë,
në fund dëshiroj të Ju siguroj lutjet e mia të përzemërta dhe plot dashuri për ju, që të jeni të gatshëm për të pranuar hiret dhe bekimet që Zoti i ka bërë gati për ne dhe nëpërmjet nesh ia dhuron botës.
Edhe njëherë Për shumë mot Krishtlindja dhe urime për vitin e Ri 2010.
Ipeshkvi Juaj, Dodë Gjergji
Prizren, 24 dhjetor 2009







All the contents on this site are copyrighted ©.