Ndërkohë po ecim udhës drejt Betlehemit, për të takuar Krishtin, po ndalemi te figurat
dhe simbolet kryesore të solemnitetit, duke i dhënë përgjigje disa pyetjeve, si: Ç’është
Krishtlindja? Kush është Jezu Krishti, që lind? Ku ndodhet Betlehemi, ku mund ta takojmë
sot Krishtin... ?
Krishtlindja është e kremtja e dhantisë që Hyji i dhuron
të gjithë banorëve të Tokës, kështu që gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat
e natës. Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të
rëndësishme, më të bukur: Birin e tij të dashur!
Jezu Krishti është dhantia
e Hyjit! Kjo dhanti është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që
është në qiell.
Betlehemi, drejt të cilit po shtegtojmë, ndodhet ndër malësitë
e Judesë; është qyteti ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh
i Izraelit. Është edhe qyteti i etërve të Shën Jozefit. Ndryshon shumë nga Jeruzalemi,
kryeqyteti krenar që ndodhet 7 kilometra më në veri të vendit.
Jezusi që lind
është shpëtimtari. Fjala shpëtimtar apo shëlbues, përdorej shumë në atë kohë të largët.
E do të përdorej edhe më vonë, deri në ditët tona e në ditët që do të vijnë... Njerëzit
kërkonin, kërkojnë, do të kërkojnë një shpëtimtar... Edhe perandori romak asokohe
quhej “Shpëtimtari”! Po Jezusi nuk është Perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor! Ai
është Mesia, është Zoti!
E grazhdi? Të gjithë e dinë se ç’do të thotë grazhd:
është vendi ku vihet ushqimi për bagëtitë. Po grazhdi për të cilin po flasim është
simbolik, është shtrati i parë i Jezusit, që lindi i varfër ndërmjet të varfërve. Jezusi
i posalindur do ta pushonte shtatin në një grazhd, sepse për të vend tjetër nuk u
gjet. Barinjve u jepet pikërisht ky shenj, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni
një fëmijë që prehet në një grazhd”. E ata shkuan dhe e gjetën.
Po sot, ku
ndodhet, që ta takojmë edhe ne, që ta adhurojmë ? Miq të dashur, të shpejtojmë hapin
udhës së Betlehemit! Dhantia e Hyjit po vjen përsëri në një grazhd: afrohuni e do
ta takoni rishtas Birin e Hyjit, lindur në varfëri.