2009-12-25 13:05:32

Benedikti XVI: Mesazhi i Krishtlindjes ‘Urbi et Orbi’(tekst i plotë).


25.12.2009 RV)Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës!
E ju të gjithë, burra e gra, që Zoti ju do!
Lux fulgebit hodie super nos,
quia natus est nobis Dominus”.
“Sot përmbi ne do të shndrisë drita,
sepse lindi për ne Zoti”.
(Meshari Romak, Lindja e Zotit, Mesha e Agimit, Antifona e hyrjes)

 
Liturgjia e Meshës së Agimit na kujtoi se tashmë nata kaloi, dita po shtyhet; drita që përhapet nga Shpella e Betlehemit vezullon përmbi ne.
Gjithsesi, Bibla e Liturgjia nuk bëjnë fjalë për dritë natyrore, por për një dritë tjetër, të veçantë, e cila i lëshon rrezet e veta drejt ‘nesh’, sepse pikërisht ‘për ne’ ‘lindi’ Foshnja e Betlehemit. E kur themi ‘ne’, kemi parasysh Kishën, familjen e madhe universale të besimtarëve në Krishtin, që pritën me shpresë lindjen e re të Shëlbuesit e që sot kremtojnë, në mister, aktualitetin e përjetshëm të kësaj ngjarjeje.
Në fillim, rreth grazhdit të Betlehemit, fjala ‘ne’ ishte pothuajse e padukshme për sytë e njerëzve. Siç na rrëfen Ungjilli i Shën Lukës, përfshinte, përveç Marisë e Jozefit, vetëm pak barinj të përvujtë, të cilët arritën tek Shpella të lajmëruar nga Engjëjt. Drita e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur nëpër natë. Gjithçka përreth ishte e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi, sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme. E Vërteta, ashtu si Dashuria që përmban, ndizen atje, ku drita pranohet; përhapën, pastaj, me rrathë koncentrikë, në zemrat e në mendjet e atyre që, duke i hapur lirisht udhën shkëlqimit të saj, bëhen edhe vetë burim drite. Është historia e Kishës, që nis shtegtimin në Shpellën e varfër të Betlehemit e, në rrjedhë shekujsh, bëhet Popull e burim drite për njerëzimin. Edhe sot, përmes atyre që shkojnë ta takojnë Foshnjen, Zoti ndez përsëri zjarre në natën e botës, për t’u bërë thirrje njerëzve të shohin, në Jezusin, ‘shenjën’ e pranisë së tij shëlbuese e çliruese e për ta zgjëruar atë ‘ne’ të besimtarëve në Krishtin, duke përfshirë në të, mbarë njerëzimin.

Kudo është një ‘ne’ që e mirëpret dashurinë e Zotit, atje shkëlqen drita e Krishtit, edhe në situatat më të vështira. Kisha, ashtu si Virgjëra Mari, i ofron botës Jezusin, Birin, që ajo vetë e mori si dhuratë e që erdhi ta shpëtojë njeriun nga skllavëria e mëkatit. Ashtu si Maria, Kisha nuk ka frikë, sepse ky Fëmijë është forca e saj. Por ajo nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre, që e kërkojnë me zemër të sinqertë: të përvujturve të tokës e të pikëlluarve, viktimave të dhunës e të gjithë atyre që kanë etje për paqe. Edhe sot, për familjen njerëzore, të tronditur thellë nga kriza ekonomike, e më parë, nga ajo morale, si dhe nga plagët e dhimbshme të luftërave e të konflikteve, me stilin e ndarjes së përbashkët e të besnikërisë ndaj njeriut, Kisha përsërit, njëzëri me barinjtë: “Të shkojmë në Betlehem! (Lk 2,15), e atje do të gjejmë shpresën tonë”.
Kjo ‘ne’ e Kishës jeton atje, ku lindi Jezusi, në Tokën Shenjte, për t’i ftuar banorët e saj ta lënë mënjanë logjikën e dhunës e të hakmarrjes e të impenjohen, me forcë e bujari, në rrugën drejt bashkëjetesës paqësore. ‘Ne’ e Kishës është e pranishme në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Si mund të mos mendojmë për situatën tronditëse në Irak e për grigjën e vogël të të krishterëve, që jeton në Zonë? Ajo nganjëherë pëson dhunë e padrejtësi e, megjithatë, është gjithnjë gati të japë ndihmesën e vet për bashkëjetesën civile, në kundërshtim të plotë me logjikën e ndeshjes e të mospranimit të të afërmit. ‘Ne’ e Kishës vepron në Sri Lanka, në Gadishullin korean e në Filipine, e vepron edhe në trojet aziatike, si tharm i pajtimit e i paqes. Në Kontinentin afrikan nuk pushon së lartuari zërin drejt Zotit për t’i lypur përfundimin e çdo padrejtësie në Republikën Demokratike të Kongos; i fton banorët e Guinesë e të Nigerit të respektojnë të drejtat e çdo njeriu e të dialogojnë; atyre të Madagaskarit u kërkon t’i kapërcejnë përçarjet e brendshme e ta pranojnë njëri-tjetrin; të gjithëve u kujton se janë të thirrur të shpresojnë, pavarësisht nga dramat, provat e vështirësitë, që vijonë t’i trondisin. Në Evropë e në Amerikën veriore ‘ne’ e Kishës i nxit njerëzit të ngrihen mbi mendësinë egoiste e tekniciste, të punojnë për të mirën e përbashkët e të respektojnë njerëzit më të ligshtë, duke filluar nga ata që nuk kanë lindur ende. Në Honduras ndihmon për rifillimin e rrugës institucionale; në të gjithë Amerikën Latine ‘ne’ e Kishës është faktor identitar, plot vërtetësi e dashuri, që asnjë lloj ideologjie nuk mund ta zëvendësojë, është thirrje për respektimin e të drejtave të patjetërsueshme të çdo njeriu e të zhvillimit të tij të gjithanshëm, kumt drejtësie e vëllazërimi, urim uniteti.

Besnike ndaj mandatit të Themeluesit të saj, Kisha është solidare me ata, që tronditen nga fatkeqësitë e natyrës e nga varfëria, edhe në shoqërinë e kamur. Përballë heksodit të atyre që lënë trojet e veta e marrin rrugët e largëta, të shtyrë nga uria, intoleranca ose nga degradimi ambiental, Kisha është prani, që bën thirrje për mikpritje. Me një fjalë, Kisha kumton kudo Ungjillin e Krishtit, pavarësisht nga persekutimet, diskriminimet, sulmet e indiferenca, nganjëherë armiqësore, që – madje - i krijojnë mundësinë të ketë fatin e Mësuesit e të Zotit të saj.

Të dashur vëllezër e motra, sa dhuratë e madhe është të bësh pjesë në një bashkësi, që u përket të gjithëve! Është bashkësia e së Shenjtnueshmes Trini, nga zemra e së cilës zbriti në botë Emanueli, Jezusi, Zoti-me-ne.Ashtu si barinjtë e Betlehemit, kundrojmë plot mahnitje e mirënjohje këtë mister dashurie e drite! Për shumë vjet Krishtlindjen, të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.