2009-12-24 16:19:01

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Butësia e Zotit është forcë”.


(24.12.2009 RV)Është Nata e Krishtlindjes. E Papa na kujton se Krishtlindja nuk është përrallë. Jezusi nuk lindi në një grazhd legjende, por në një grazhd të vërtetë, në një vend të caktuar, në një datë historike, që ndau më dysh epokat: para e pas Krishtit. Sonte hiri i Hyjit tonë Shëlbues u dëftohet të gjithë njerëzve. Jezusi lind për të gjithë e është i vetmi që mund ta shndërrojë të keqen në të mirë, i vetmi që mund ta ndërrojë zemrën e njeriut e ta bëjë oazë të paqes. Drita e Foshnjes së Betlehemit i ndriçon të gjitha zemrat, të gjitha dramat. Në botën tonë, me fuqinë e ligështinë e vet, me progresin e krizat, shpresat e ankthet, sonte duket hiri i Hyjit Shëlbues, ‘Butësia e të cilit është forcë!”. Ky është edhe titulli i emisionit të 25-të, emsion i Natës së madhe, drejt të cilës jemi nisur që në fillim të dhjetorit, duke ecur së bashku “Shtigjeve të Krishtlindjes”.

“E Fjala u bë njeri e erdhi të banojë mes nesh;
e ne e kundruam lumninë e tij”. Gjn 1,14- na kujton Ungjilli i Gjonit.

Ndërsa Luka Ungjilltar brohoret për këtë natë:
“Ai ngriti për ne një Shpëtimtar të fuqishëm…falë dashurisë e mëshirës së Hyjit tonë”.
Lk 1, 67-79

 
“Dashuria e Zotit ka fytyrën e Atit,
të butë e të fortë,
që edhe ne a bën
të fortë e të brishtë njëherit, si Foshnja e Grazhdit.
Sepse njerëzorja ndryshe s’mund të jetë.
Dashuria e Zotit ka fytyrë të trishtuar
si fytyra e njeriut zemërthyer,
njeriut të frikësuar,
përmbysur në gjunjë para tij,
për të lypur ndihmë nga qielli.
Dashuria e Zotit sonte
s’e ka në dorë vetëtimën,
as bubullimën, që e pati mbi Sinai
kur jepte Ligjin,
e gjuante me rrufe
dorën që prekte harkun.
Dashuria e Hyjit sonte
është dhëmbshuri,
me fytyrën e Njeriut!
Tashti errësira
kot sillet nëpër ajër.Tash jemi të fortë,mallkimin s’e kemi më në gojë.
Na u fal mëkati!
E Foshnja e Grazhdit,
na i ngrohu shpirt e korp.
Na dhuroi dritën,
që e kish e ëma në sy!

Nata e Krishtlindjes

 Familja e krishterë sonte mblidhet rreth Shpellës së Betlehemit, ose rreth tryezës së Festës. Drita e vetme, që ndriçon dhomën, është ajo e qirinjve të Kohës së Ardhjes.
Sonte Krishti vjen përsëri mes nesh. Vjen në vatrat tona, për të na kujtuar atë, që ndodhi historikisht më se 2000 vjet më parë. Në këtë natë të lume, gjithçka e mirë dhe e bukur është pranë nesh, me ne, për ne. Ndoshta shumkush ndjen një frymë të panjohur, të pakuptueshme lumturie, që ia mbush përplot zemrën...”.
Në orën misterioze të mesnatës, fëmijët vendosin Shtatoren e Krishtit Fëmijë në zemër të Shpellave të Betlehemit, gatitur që kur nisi Koha e pritjes së lindjes së Zotit e të gjithë ndezin qirinjtë. E grazhdi i mjerë rrethohet me një buqetë dritash.
Duke iu drejtuar Foshnjës Hyjnore, t’i themi:“O Krishti Fëmijë, e pritëm këtë çast, kur ti erdhe mes nesh, ashtu si e pritën Maria e Jozefi në natën e Betlehemit. Kështu ishe atë Natë të lume, siç je sonte në shpellat tona! E ne s’mund ta shprehim dot me fjalë hirin e Natës së Lindjes sate. Fjalës ia zë vendin kënga e engjëjve, që gazmon qiell e dhe, duke i kumtuar njerëzimit Lajmin e madhe, të mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.