Nata e Krishtlindjes: historiku i këngës “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”
Në këto ditë të mëdha e posaçerisht ne kete në atmosferë të Natës së Shenjtë të Lindjes
së Krishtit, me qindra herë kemi dëgjuar në Kisha, në radio, në televizion e pranë
Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”.
Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat
në mbarë botën?
Fjalët qenë shkruar natën e Krishtlindjes së vitit 1818, nga
meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri).
Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës
së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mor, motivi muzikor qe punuar për dy zëra,
shoqëruar nga kori dhe kitara. Mor e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarrë,
ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa
kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.
Autorët e këngës nuk figurojnë
në asnjë enciklopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i vetmi krijim i
tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden në të gjitha encikolopeditë,
kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha kryeveprat e tyre, për të
qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur nga njerëz
të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive.
Shumë shpejt kjo këngë nisi të
këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi,
françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “O e qeta Natë”,
dhe u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes
së vitit 1920. Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një
nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës:
Flej, o Qielluer, Zojës
në krahnuer. Flej, mos kjáj, ndale at’ váj. Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet
me fjetë, pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtetë.
Jezus për p’shtim
të gjithë neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri, Ty gjithë
dashtëni, rrin tuj t’ruejtë, ambël prujtë,
Ditë do t’vinë, o Shelbues,
me u mekë; Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë ! Jezus për p’shtim të gjithë
neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve!
Ishte përkthim krejt i lirë
i tekstit. Ndërkaq jezuiti Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar
shumë më besnik tekstit gjermanisht, që nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë
e këndohet edhe sot:
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Krishti i lum sot ka le; Shih
si qeshet e bukura f’tyr’, Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’ Flej, o i bukuri,
flej Flej, se shpresa je Ti.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë Krishti f’mijë
i Zoj’s Mari Qe, në prehen sa mir’ po i rri, Ejt’këndojnë me brohori: Erdh
i lumi Mesi Erdh i lumi Mesi.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Me shpejti
vijnë barijt Me shikue k’te bukuri, Me adhrue njik’te fëmijë Krishti plot
dashuni, Krishti plot dashuni!