2009-12-24 09:55:12

Lindja e Jezusit sipas Lukës


Për Lindjen e Jezusit ta shfletojmë Ungjillin sipas Lukës (Lk 2,1-21) duke u ndalur tek rrëfimi i tij mbi këtë ngjarje të jashtëzakonshme e unike:

1 Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. 2 Ky qe regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. 3 Të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. 4 Kështu edhe Jozefi, mbasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhej Betlehem, 5 për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.
6 Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. 7 Ajo lindi djalin e vet- të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.
Barinjtë dhe engjëjt
8 Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. 9 Engjelli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi.
10 Engjëlli u tha:
“Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! 11 Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! 12 Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd”.
13 Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste:
14 “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell
e paqe mbi tokë njerëzve,
që i ka për zemër!”.
15 Posa engjëjt u larguan prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri–tjetrit:
“Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi - ngjarjen që na e kumtoi Zoti”
16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. 17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. 19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.
20 Barinjtë, mandej, u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha ëngjëlli.
21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

Si filloi historia e Shpellës së Betlehemit?

Krishti foshnjë do të lindë përsëri në grazhdin e përvujtë, si dymijë vjet më parë, nuk mund të mos bëjmë pyetjen: “Si filloi historia e Shpellës së Betlehemit?”.

Të parët që e përshkruajnë Lindjen e Krishtit janë ungjilltarët Luka e Mateu. Në pjesët e Ungjijve të tyre, që i kushtohen ngjarjes së madhe, gjejmë përfytyrimin i cili, duke u nisur nga mesjeta, do të quhej me emrin latin praesepium që do të thotë grazhd. Luka flet për lindjen e Jezusit në një mjedis të përvujtë, në një grazhd “sepse për Të e prindërit e Tij nuk kishte vend në bujtinë”; për lajmërimin e barinjve; për Mbretërit Dijetarë të cilët, duke ndjekur Yllin që u tregonte rrugën, erdhën nga Lindja, për të adhuruar Foshnjën Hyjnore; për Krishtin Fëmijë i cili paralajmërohet mrekullisht nga qielli si Mbret.

Kjo ngjarje, kaq familjare e njerëzore, nga njëra anë gjallëronte fantazinë e të krishterëve të parë, duke e bërë më pak të errët misterin e Zotit që mishërohet, nga ana tjetër i nxiste të dallonin aspektet e mbinatyrshme, siç ishin natyra hyjnore e Foshnjës dhe virgjëria e Marisë. Kështu shpjegohen afresket që u pikturuan në muret e varrezës të Shën Anjezes dhe ndër katakombet e Pjetrit, të Marçelinit e të Domitilës në Romë, që paraqesin Lindjen e Krishtit dhe adhurimin e Mbretërve. Madje ungjilli apokrif armen përmend edhe emrat e tre Dijetarëve: Gaspër, Melkior e Baldasar. Bie në sy sidomos karakteri alegorik i personazheve që pikturohen në Shpellë rreth Foshnjës Hyjnore. Kau e gomari - sipas Origjenit, që shpjegoi profecitë e Abakukut e të Izaisë profet - janë simbol i popullit hebre dhe i paganëve; Mbretërit Dijetarë - tre sipas shpjegimit të Shën Leonit të Madh, krijojnë mundësinë për dy interpretime - tek ata mund të shikojmë tri kohët e jetës së njeriut: rininë, pjekurinë dhe pleqërinë si dhe tri racat kryesore, në të cilat ndahet njerëzimi: racën semite, japetike e kamite, sipas rrëfimit biblik. Engjëjt janë simbol i krijesave të larta; barinjtë njerëz që duhen shëlbuar, ashtu si mbarë njerëzimi; Maria e Jozefi, të cilët duke nisur nga shekulli XIII paraqiten duke adhuruar Foshnjën Hyjnore, nënvizojnë madhështinë mbretërore të Krishtit.

Edhe dhuratat e Mbretërve lenë të kuptohet natyra e dyfishtë e Jezusit dhe e madhështisë së tij mbretërore: kęmi tregon se Foshnja është hyjni; mirra se është edhe njeri; ari se është mbret. Por për historinë e Shpellës së Betlehemit, traditën për ta përsëritur çdo vit e pasqyrimin e saj në arte, do te vijoj me shkrimet e ardhshm.







All the contents on this site are copyrighted ©.