Lidhur me datën e lindjes së Jezu Krishtit që në fillim le të nisemi nga të dhënat
ungjillore:
Mateu ungjilltar tregon: “Jezusi lindi në Betlehem të Judesë,
në kohën e mbretit Herod. Disa Mbretër Dijetarë, që arritën nga Lindja në Jeruzalem,
pyesnin: “Ku është Mbreti i Judejve që ka lindur? Kemi parë të ngrihet ylli i tij
e kemi ardhur ta adhurojmë!”
Te Ungjilli i Lukës shkruhet: “Në ato ditë, një
dekret i Qesar Augustit urdhëroi të bëhej regjistrimi i banorëve në të gjithë tokën.
Ky regjistrim i parë qe bërë kur ishte sundimtar i Sirisë Kuirini”.
Betlehemi
i Judesë, ku lindi Krishti, vetëm pak kilometra larg nga Jeruzalemi, ishte vendi i
origjinës të familjes së mbretit David, birit të Jeses. Davidi është stërgjysh i Jezusit,
e prandaj thirret “rrënja e Jeses”. Megjithatë Jezusi nuk njihet si “Betlemiti”, por
si “Nazareni”, sepse fëmijërinë, adoleshencën e rininë i kaloi në Nazaret, fshat i
Galilesë e jo i Judesë. Nazareti ishte vendi i Jozefit e i Marisë, prindërve të Jezusit.
Jezusi
lindi në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, me origjinë idumease, që do të thotë
gjysëm jude e gjysëm pagan. Herodi ishte mik i romakëve. Në Romë sundonte perandori
i parë, Cezar Augusti, i cili qëndroi në fron të perandorisë nga viti 29 para Krishtit
deri në vitin 14 pas Krishtit. Emri i tij fillestar qe Oktavian; më vonë këtij emri
iu shtuan epitetet Cezar, per nder të aftësive të tij prej prijësi e pastaj August,
si vulë e njohjes së pushtetit dhe autoritetit.
Jezusi lindi kur Cezar Augusti
urdhëroi të bëhej regjistrimi i parë i popullsisë dhe kur sundimtar romak i Sirisë,
por edhe i Feniçies, ishte Publio Sulpicio Kuirino.
Po në ç’ vite qeverisi
Kuirini, që qe sundimtar për dy mandate? Pyetja është themelore për të arritur tek
viti i saktë i lindjes së Jezusit. Kuirini sigurisht nuk qe sundimtar në vitin 7 para
Krishtit. Themi 7, sepse sipas astronomit Kepler, është ky viti i lindjes së Krishtit.
Për astronomin, ylli i Mbretërve Dijetarë nuk ishte tjetër veçse bashkimi i Jovit
e i Saturnit, që ndodhi pikërisht në vitin 7
Në astronomi “bashkim” quhet radhitja
e dy trupave qiellore në të njëjtën gjatësi, ose në ‘ngritje vertikale’. I parë nga
toka, fenomeni mund të duket si bashkim i dy trupave, në të cilin i vogli ndodhet
poshtë të madhit.
Një almanak astronomik siro-babilonez thoshte edhe se në
vitin 7 Jovi e Saturni zunë vend në të njëjtin konstelacion. Llogaritjet e mëvonshme
dëshmuan se në vitin 7 nuk ndodhi një bashkim i mirëfilltë, sepse Jovi e Saturni mbetën
gjithnjë larg më se dy diametra të dukshme nga hëna dhe, prandaj, nuk mund të shiheshin
nga Toka si një yll i vetëm. Prej këndej lind pyetja: në se jo Kuirini, kush ishte
qeveritar i Sirisë në vitin 7? Ishte Senzio Saturnino.
Ndërsa Qurini, sundonte
me siguri në vitin 6, vit në të cilin u bë një regjistrim tjetër, ai i Apameas. Shën
Luka flet për regjistrimin e parë, jo për të dytin. Kasio Dioni shënon se regjistrimet
e para Augusti i bëri në vitin 11 para Krishtit. Eshtë ky viti që na intereson për
të përcaktuar datën e lindjes së Jezusit. Kështu mund të themi se regjistrimi i parë
u bë nën qeverisjen e parë të Kuirinit.
Zhvendosemi përsëri në planin astronomik.
Në vitin 11 ose rreth tij, ngjet diçka e rëndësishme astronomike, aq sa flitet për
një yll. Vërtet në vitin 11 u duk një yll ndërmjet konstelacionit të Binjakëve, të
Luanit, të Ofiukut, të Hidrës e të Akrepit. Ky yll u pa në tokën e Jezusit nga 26
gushti deri më 20 tetor të vitit 12 me një shkëlqim shumë më të madh se të atij që
u duk, për shembull, në vitin 1910. Pra data e lindjes se Jezusit ka shumë mundësi
të jetë viti 12 para Krishtit. Themi ka shumë mundësi, sepse Shën Mateu shkruan se
ylli, që panë Mbretërit dijetarë vijonte të lëvizte, derisa arriti tek grazhdi i Foshnjës
së sapolindur: kjo lëvizje, astronomikisht krejt e pazakontë, mund të nënkuptohet
edhe si një këshill për të mos i besuar vetëm astronomisë lidhur me caktimin e datës
së lindjes tokësore të Birit të amshuar të Hyjit.