Protagonistët e Krishtlindjes: Maria, Jozefi, barinjtë e.…
Në festën e Lindjes së Krishtit Zot pyesim: kush janë protagonistët e kësaj ngjarje
të jashtëzakonshme e madje vendimtare për fatin e mbarë njerëzimit. Duke shikuar e
kundruar Foshnjën Hyjnore të vendosur nga nëna Mari në grazhd të një shpelle në Betlehem,
s’ka dyshim se të vegjëlit, të varfërit në shpirt: këta janë protagonistët e Krishtlindjes,
si dje ashtu edhe sot; protagonistë të vërtetë të historisë së Zotit, ndërtimtarë
të palodhshëm të Mbretërisë së Tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes. Të përvujturit,
si Maria, që besoi në fjalën e Zotit dhe adhuroi e para, e përkulur mbi grazhd,
Frytin e kraharorit të saj; si Jozefi, njeriu i drejtë, që pati guximin e fesë
e i duk më e arsyeshme t’i bindej Hyjit, sesa të ruante namin e vet të mirë; si
barinjtë, të varfërit, njerëzit e panjohur, që pranuan kumtin e lajmëtarit qiellor
dhe u nisën për ngut drejt Shpellës ku gjetën Foshnjën e sapolindur dhe, të mrekulluar,
e adhuruan, duke lavdëruar Hyjin. Me Marinë, Jozefin e barinjtë, me mbretërit dijetarë
e aradhet e pafundme të adhuronjësve të përvujtë të Foshnjës së sapolindur, të cilët
gjatë shekujsh e pranuan mesazhin e Krishtlindjes, edhe ne, vëllezër e motra të trojeve
shqiptare, ta lëmë dritën e kësaj dite të përhapet kudo. Vetëm drita e madhe që
u duk në Krishtin mund t’u dhurojë njerëzve paqen e vërtetë. Ja pra pse - çdo brezni
është e thirrur ta pranojë Zotin, i cili në Betlehem u bë njëri nga ne. Por, kush
është gati t’ia hapë portën e zemrës? Kush rri zgjuar në natën e dyshimit e të pasigurisë?
Kush e pret agimin e ditës së re duke e mbajtur të ndezur flakën e fesë? Të gjithëve
Krishti vjen t’u dhurojë vetveten si shpresë e sigurtë për shëlbim. E të gjithë,
si Maria e Jozefi, si barinjtë e Mbretërit dijetarë, mund të bëhen protagonistë të
Krishtlindjes!