Sot me 23 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit, meshtar
(23.12.2009 RV)” Meshtar e teolog , i lindur në Keti apo Kanc të Polonisë në
vitin 1390, qe mësues e model për brezni të tëra meshtarësh. Shërbeu si famullitar
në Olkuz. Shpirti i lutjes e i pendesës, dashuria e tij e pashtershme për të gjithë
e, posaçërisht, për të varfërit, i japin një vend të dalluar në shekullin e madh të
shenjtorëve në Poloni”. Kështu shkruhet në ‘Mesharin Romak’ për Shën Gjonin e Ketit
Ndërsa në ‘Martiriologun Romak’ lexojmë: “Shën Gjoni nga Keti, meshtar, pas shugurimit
dha mësim për shumë vjet në Universitetin e Krakovisë. Më pas u ngarkua me detyrën
e kujdesit baritor në famullinë e Olkuzit, ku u shqua për virtytin e dëshmisë së një
feje të thellë, duke u bërë kështu për bashkëpunëtorët e dishepujt e tij, model dashurie
e bamirësie ndaj të afërmit”. Mjaftojnë dy ngjarje të vogla nga jeta e Shenjtit,
për ta kuptuar përvujtërinë e, njëkohësisht edhe mprehtësinë e tij të jashtëzakonshme: Së
pari kujtojmë se shtegtoi katër herë në Romë, duke e bërë gjithë rrugën, shkuarje
e ardhje, në këmbë. Së dyti, kur ishte profesor i mirënjohur i katedrës së famshme
të Universitetit të Krakovisë, prej nga do të fliste shumë më vonë edhe Karol Vojtila,
një ditë u nis për të marr pjesë në një gosti, ku ishte ftuar, i veshur me rroba të
vjetra. Shërbëtori nuk e la të hynte. Iu desh, atëherë, të shkonte e të ndërronte
rrobat e të rikthehej në pallatin ku jepej pritja. E lanë menjëherë të hynte por,
gjatë darkës, një kamerier i pakujdesshëm, i derdhi një gotë verë mbi rrobat e reja.
Gjoni qeshi e tha: “Është e drejtë që edhe petku im të ketë pjesën e vet, sepse falë
tij munda të hyj në këtë vend”. Vdiq në Krakovi të Polonisë natën e Krishtlindjes
të vitit 1473.