2009-12-23 18:28:11

Notë e atë Lombardit mbi Dekretin e njohjes së virtyteve heroike për Papën Piu XII


(23.12.2009 RV)RealAudioMP3 Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi sqaroi sot me një notë të gjithë ata që kanë reaguar ndaj Dekretit mbi virtytet heroike të Papës Piu XII, i cili akuzohet se me heshtjen e tij gjatë Luftës II Botërore, nuk i ka ndihmuar hebrenjtë. Reagimet kanë qenë më të ndezura pikërisht nga bota hebraike. Atë Lombardi sqaron hap pas hapi, si bëhet nënshkrimi i dokumenteve të tilla të rëndësishme nga Papa, duke sqaruar se Ati i Shenjtë konfirmon vlerësimin pozitiv të bërë nga Kongregata e Çështjes së Shenjtorëve, pas shqyrtimit të mijëra dokumenteve. Me njohjen e virtyteve heroike të Piut XII tregohet ai si shembull i jetës së krishterë, si shembull jete të shenjtë, por vendimet e sjelljet e tij në histori mund të jenë gjithnjë të diskutueshme. Megjithëse, thekson drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit:
“Nga ana e saj, Kisha pohon se janë bërë me qëllimin e pastër për ta kryer sa më mirë shërbimin me përgjegjësi shumë të lartë e dramatike të Papës. Gjithsesi, vëmendja dhe shqetësimi i Piut XII për fatin e hebrenjve – gjë që natyrisht është e rëndësishme për vlerësimin e virtyteve të tij – dëshmohen gjerësisht e njihen edhe nga shumë hebrenj”.
Atë Federiko Lombardi sqaron më pas se në të ardhmen mund të vlerësohen më mirë vendimet e tij, duke shqyrtuar dokumentat përkatëse. E atyre që ankohen për hapjen e pjesshme të arkivave të Selisë së Shenjtë, u kujton se duhen radhitur e kataloguar një mori dokumentash, që kërkojnë një kohë të paktën disavjeçare.
Gjithashtu, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit nënvizon se fakti që shpallja e virtyteve heroike të Piut XII është bërë njëkohësisht me atë të Gjon Palit II nuk do të thotë se ata do të lumnohen sëbashku. Çështjet e lumnimit vazhdojnë rrugën e tyre, të pavarura nga njëra-tjetra. E së fundi, atë Lombardi thekson:
“Predispozicioni i miqësisë dhe i respektit të madh të Papës Benedikti XVI për popullin hebraik është dëshmuar shumë herë e dëshmohet edhe nga vetë puna e tij teologjike. Është e qartë pra, se nënshkrimi i Dekretit nuk duhet kuptuar aspak si një akt kundër popullit hebraik dhe urojmë që të mos konsiderohet si pengesë në rrugën e dialogut ndërmjet hebraizmit dhe Kishës Katolike. Madje urojmë, që vizita e ardhshme e Papës në Sinagogën e Romës të jetë rast për të ripohuar e përforcuar me përzemërsi të madhe lidhjet e miqësisë e të vlerësimit”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.