2009-12-23 18:30:38

Nga tradita letrare shqipe: “Xhixhilloja në shpellë të Betlemit” (Legjendë)


(23.12.2009 RV)Kur Zoja Mrì e Sh’Jozefi mrrîjten te shpella e Betlemit, aty mrêndë ishte aq terr, sa u bite me u vra shpesh, kah nuk shifshin se kû me vû kâmen.
Nji brumull i shkretë, emnit llojë, qi gjallnote në nji birë mureve të shkretnueme t’asajë shpellë, pat dhimë per kta shtegtarë, e fshâni.
Duel shpejt e shpejt jashtë e pau nji rreze hanet, qi endej prej nji vendit në tjetrin, si gjâ e bjerrne; e kapi me nji herë, e vuni mbi shpinë… njashtû si mujt… e e barti me shum mûnd, me njet qi t’u bâte pak dritë atyne udhtarve.
- Zoti t’a shperbleftë, moj mikëneshë - tha Zoja.
-Po njëmênd, Zoti t’a shperbleftë – persriti Sh’Jozefi.
E, tuj vû n’oroe at brumull të vogel:
-Në ket vênd – vijoj Shêjti – shtâsët diftuekan mâ dashtnì se nierzët.
Gomari uli kryet e kau shkrepi njanen kâmë per tokë, si të dojshin me thânë: shpejt do të jau bâjmë dishmì edhe na vetë.
Kuer leu Krishti, rrezja e hânës, qi pat bárt mrêndë lloja e shkretë, kje mâ e para dritë qi ndriti at djep të vorfen.
Kerthîni, masi pat puthë nanen e vet e u knaq me Sh’Jozefin, tuj u sjellë me shikjue shpellen per rreth, i vojtne sýt e vogjel n’at brumull, qi prej nderimit, shkote gjithnji tuj hî e tuj u bá mâ i vogel e i tha:
-Llojë, mikneshë e dashtne, sa e mirë kênke… Due me t’a shperblye ket sherbim qi na bâne… Çka dishron?
Llojës nuk i bâhej me folë.
-A don nji pàr krahë mndashit, stolisë me njyre të bukura e gjithfarësh, si ato të flutres, per me mujtë e me fluturue gjithkahë?
-Jo, Zot iem, jo!
-Don qi t’a praroj shtatin me ar kû të jèt mâ i ndritshmi?
-Jo, Zot i em, jo!
- Jo, Zot i em, jo!
-A don qi të bâj si bleten qi bashkon mjaltin, qi âsht i amel i amel, si bleten, po tham, së cillës edhe i rrín në sherbim të gjitha lulet ?
- Jo, Zot i em, jo!
- A don me u bâ si krymi i mndashit, per të cillin do të késh ndî pûnë të mdha?
- Jo, Zot i em, jo!
- Po ti, moj llojë, çka don pra? Fol, më thuej pa droje. Dikû veç don me më lypë ndonji sênd të rrallë, fort të rrallë.
- Qe çka un dishroj, o Zot i em – foli brumulli në të lutun – qi të mund gjêjë per gjith mbrame ka nji rreze hâne, si atë qi shkova me kerkue sande, e të mundem kshtû me u vjeftë edhe shtegëtarëve tjerë, qi të vînë kndejpari. Pse, ti e din, o Zot i mirë qi din gjithçka, se hâna mshehet shpesh herë nâten e ka nji herë, per sa do qi të kerkoje kushi, nuk ndeshet në kurrnji rreze të sajen…
- A shef sa mirë - pergjegji Foshnja e hyjnueshme – të thaçë se do të nap çka të më lypish e jam tuj t’a dhânë pernjimênd. Sot e mas sodit nuk ke me pasë mâ nevojë me dalë e me e kerkue at rreze hane, por ke me e pasë gjithmonë me vedi. E mandej, në kujtim të vepres së mirë qi deshte me krye, si edhe në kujtim të lemit t’em, due qi sot e mas sodi mos të thrrasë kush mâ llojë por xhixhillojë.
- Falemi nderës, o Zot e Krijues i em!
Ç’at herë e at herë, sidomos nder net të bukura të Mâjit, shifen gjith ato xhixhilloja qi ndrisin mî blerime të tokës e më të kthielltë të qiellve.
Njatyne qi u napin skamnorëve të Zotit dromcen e bukës, qi i ushqen, goten e ujit, qi u largon eden, petkun qi i mlon, msimin qi i ndritë, kshillin qi i vên në rrugë të marë, Krishti ka me jau shperblye të gjitheve tuj u dhânë atyne, si xhixhillojës dikuer, njat rreze lumnijet t’amshueshme me të cillen ka me i kunorue e qi thirret Parrîz.
__
1 Marrë nga revista ‘Zâni i Shna Ndout”, Vjeti X, Shkoder, Shtypshkroja Françeskane, 1922, fq. 199-200







All the contents on this site are copyrighted ©.