2009-12-23 18:55:17

Historia e Shpellës së Betlehemit në letërsinë shqipe


(23.12.2009 RV)Nji nder mjetet fort të bukura, qi Nâten e Kshndellave e bân edhe mâ të gzueshme se çdo Kremte tjeter, âsht pernjimend njajo doke e hershme e njiheri e pershpirtshme, e cilla 5-6 dit para i nzitë fmijt e njâj familjes me i gatue Foshnjes hyjnore nji shpellë a grazhd në ndo ‘i vend sa mâ t’errtë shpije, në përkujtim t’asajë Natë fatbardhe, në të cillen leu në shpellë të Betlemit Shelbuesi i ynë, Jezu Krishti.+
Dihet se ky zakon i bukur, ase si i thonë kta të vendit B e t l e m i, xû fill prej Kryeatit t’onë, Shë Françeskut, e qe se si:
Ky Serafin dashtnije kishte nji devocjon të madh per Nâtë të Kshndellave e e kish’ doke me thanë se Kshndellat jânë : “K r e m t j a e t ë g j i t h a K r e m t e v e”, e, per me i bâ edhe mâ të gzueshme, kah herë i kish’ vojtë neper mend me mûjtë se si me i a pergja Nâten e Kremtes asajë Nâtë të lume, në të cillen kishte le në shpellë të Betlemit Foshnja hyjnore, i Lumi Krisht: d.m.th. me ndreqë nji Betlem, shka ‘s i kish’ pasë vojtë kurrkuej neper mend deri m’at herë. Masi i kje pelqye edhe prej Shêjtit At Papë kjo mnyrë e rè, dau me i a nisë pûnës sa mâ parë, tuj kênë se s’ ishte fort larg Nâta e Kshndellave.
Shë Françesku kishte ne Greccio nji mik bâmirës, êmnit Gjon, të cillit i a kish’ çilë sa e sa herë mendimin e vet; prandej tash, mbasi i kje pelqye ky mendim edhe prej Kishe, i çon fjalë e i thotë: “Un dishroj me e kremtue me ty, ne të pelqeftë, Nâten e Kshndellave e qe se me çë mndyrë: Nder pyllnâjë t’ua ke per të zgjedhë nji vend a mâ mirë nji shpellë; mbrenda soje ke per të ndreqë nji grazhd me sânë ja kashtë e per ngjat tij kè per të lidhë nji ka e ‘i gomâr, e mundou, der kû të mundesh, me ia pergja shpellës së Betlemit. Dishroj me e pa per nji herë me sý të mij, në kjoftë se si, të Lémt e Shelbuesit t’onë….”. Gjoni e pelqei me ‘i gzim të madh mendimin e Shêjttit, edhe gatiti gjithshka mbas dishirit të tij. Kjenë bâ me dije Fretent e njâj Kuvendi të ngjatët bashkë me ânas e rrethas, e, si mrrîni koha e shênjueme, rrâni n’at pyllë nji popull i madh me gjithnduer flakësh e dritësh nder duerë. Prozhmi dukej i ndezun flakë, perse- si thotë shkruesi i ksajë ndollje, i Çelansi – s’ kishte si me kalue në terr ajo nâtë, në të cillen kishte lè në shpellë të Betlemit Foshnja hyjnore, Shelbuesi i ynë. Ndersa mlidhej popull gjithnji, Fretent rrishin tuj kndue kangë Kshndellash, të cillat persriteshin prej ânasve e prej jehonës së shpellave të zabelit. Shë Françesku rrite para të gjithve ngjat grazhdi, plot gzim, jashta vedi e i kputun mâlli.
Në pikë të mjesnâtës kje çue Mesha n’at pyllë shi mbi grazhd. Shêjti, si Djakon, kndoi Ungjillin me ‘i zâ të bukur e të kumueshem, perse zêmra e shpirti i tij ishte ngûlë e permbledhë krejt në diftesë të Shë Mateut. Të maruemen Ungjillin së knduemit, i u suell popullit me ‘i predk të shkurtë e të permallshem permbi të Lém të Lumit Krisht e permbi lumní të gjytetit të vogël të Betlemit. I pershkue mâlli e dashtnije ndaj Shelbuesin hyjnuer, e quete të Lumin me êmen: “Foshnja e Betlemit” e kah e shqyptote fjalen: “Betlem” e dridhte zânin si t’ishte tuj blegrue; e, kur shqyptote t’âmlin êmen “Jezu”, i lpîte buzët si t’ishte tuj hânger mjaltë. Gadi të gjith ata, qi mueren pjesë n’at kremtim, kishin tretë me mend prej lumnìs e gzimit t’asajë Nâtë, e, rregulluesi i kremtes, Gjoni prej Greccio, diftoi mprapa çiltas se e kish’ pa aj vetë mbî grazhd per do kohë Foshnjen hynore, të Lumin Krisht fjetë, të cillin e kishte rrokë Shë Françesku e e luete si të dote me i zjerrë gjûmin.
Kshtû kaloi ajo Nâtë e lume per të gjith ata, qi paten fatin e bardhë me mârrë pjesë n’at ngallnim në të marë, të vobtë e të pervûjtë.Pês vjet mbasi kje êmnue Shêjt Françesku, shi n’at pyllë kû kje lutë aj kremtim ngallnyes, kje ngrehë nji Kishë e vogel a Kapelë në nderë e lavd të Shë Françeskut.

Marrë nga revista ‘Zâni i Shna Ndout”, Vjeti X, Shkoder, Shtypshkroja Françeskane, 1922, fq. 197-198







All the contents on this site are copyrighted ©.