2009-12-22 18:29:44

Zëvendës Kryeministri Shqipërisë Meta rikonfirmon ndihmë konkrete për komunitetin serb të Kosovës


(22.12.2009 RV)Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, siguroi sot "mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë dhe për një integrim më të shpejtë të komunitetit serb atje".
Deklarata e zv/Kryeministrit Meta u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z.Sllobodan Petroviç, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe njëherazi Kryetar i Partisë Liberale të Pavarur Serbe, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri. Në delegacionin zyrtar bëjnë pjesë gjithashtu edhe Sasha Rashiç, Ministër i Kthimit dhe i Komunitetit pranë Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiç, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Bojan Stojanoviç, kryetari i sapozgjedhur i komunës së Graçanicës, me shumicë serbe në Kosovë.
Zv/Kryeministri Meta e konsideroi vizitën e përfaqësuesve të komunitetit serb të Kosovës si një "vizitë e rëndësishme dhe shumë historike", ndërsa përshëndeti pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit serb në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit 2009 në Kosovë, duke theksuar se "rritja e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është shprehje e qartë e rritjes së ndërgjegjësimit për të marrë në dorë fatet e tyre, sidomos në drejtimin e komuniteteve".
Kreu i diplomacisë shqiptare garantoi se "Qeveria e Shqipërisë është e vendosur që të ndihmojë në mënyrë konkrete për të krijuar kushte më të mira sociale në dobi të komuniteteve me shumicë serbe", duke shtuar se "jemi të bindur se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës, kanë nevojë për të ecur më tej dhe për t'u zgjeruar në të gjitha fushat".
Zv/Kryeministri Meta shprehu bindjen se kjo klimë e qetë e paqësore do të ndihmojë në kthimin e personave të shpërngulur të komunitetit serb, duke sqaruar se "bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i shërben së pari interesave të të gjithë serbëve të Kosovës si dhe të ardhmes evropiane të shtetit të ri".
Në këtë kuadër, z. Meta u shpreh se "komuniteti serb në Kosovë përbën një aset shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës evropiane dhe duhet parë nga e ardhmja, integrimi dhe përfaqësimi i tyre në të gjithë jetën dhe institucionet e vendit".
Përfaqësuesi i serbëve në Kuvendin e Kosovës, z. Sllobodan Petroviç, mirëpriti ofertën e bërë nga ana e qeverisë shqiptare për ndihmën që do t'i ofrohet komunitetit serb të Kosovës, duke theksuar se "presim një rezultat të suksesshëm nga vizita, ndërsa do të kemi detaje të mëtejshme, pas takimeve zyrtare dy-ditore në Shqipëri".
Takimi midis zv/ Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe përfaqësuesit të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, z. Petroviç, është në vijim të takimit që shefi i diplomacisë shqiptare realizoi në fund të muajit nëntor, në kuadër të vizitës zyrtare 2-ditore në Prishtinë.
Në këtë takim z.Meta rikonfirmoi sërish premtimin e qeverisë shqiptare për një kontribut konkret dhe angazhim maksimal të qeverisë shqiptare për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve social-kulturore, në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Sllobodan Petroviç dhe delegacioni që ai kryeson gjatë vizitës së tij 2-ditore në Tiranë, do të realizojë takime me autoritetet e larta shtetërore shqiptare. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.