Mesazhi i Patrikut të Jerusalemit Twal për Krishtlindje: Paqja në Tokën e Shenjtë
të mos mbetët një ëndërr.
(22.12.2009 RV)Paqe për të gjithë banorët e Tokës Shenjte: për izraelitët e
palestinezët, për të krishterët e myslimanët, për hebrenjtë dhe druzët: ky është urimi
i Krishtlindjes i Patrikut të Jeruzalemit të Latinëve, Fuad Tval, i cili nuk i fsheh
vështirësitë: “ëndrrat tona për pajtim…duken utopi – pohon – pavarësisht nga përpjekjet
e lavdërueshme nga ana e politikanëve dhe e njerëzve vullnetmirë… të gjitha provat
për arritjen e paqes, si nga ana palestineze, ashtu edhe nga ajo izraelite, dështojnë”. Palestinezët
nuk kanë akoma shtetin e tyre, pohon Patriku, vuajnë për punë, për shkak të gjendjes
së vështirë ekonomike, për shkak të shkatërrimit të banesave e të ndarjes së familjeve
nga muri izraelit, për shkak të ndotjes së ujit. Jeruzalemi rrezikon të bëhet një
qytet “ekskluziv”, në vend që të jetë universal. Edhe nga ana tjetër e murit, izraelitët
jetojnë me frikën, që i pengon të marrin vendime të guximshme për t’i dhënë fund konfliktit. “Megjithatë
– vazhdon imzot Tval – shpresa është akoma gjallë. Shpresa është aftësia “për ta parë
Zotin në mesin e vështirësive”. Ka disa shenja pozitive, vë në dukje Patriku, si bllokimi
i pjesshëm i ndërtimit të kolonive të reja izraelite dhe heqja e mëse 50 postoblloqeve
në Çisjordani; bujaria e bashkësisë ndërkombëtare, me mbështetjen e saj financiare.
E pastaj, vizita e Papës, majin e kaluar, vazhdon të sjellë fryte: vijnë gjithnjë
e më shumë shtegtarë; në Betlehem është ndërtuar një Klinikë e re Pediatrike, që mban
emrin e Benediktit XVI; është bekuar pikërisht nga Ati i Shenjtë guri i parë i Universitetit
të Madabës në Jordani; në Jeruzalem po ndërtohet një kompleks rezidencial për 72 çifte
të reja; në tetor 2010 do të mbahet Sinodi për Lindjen e Mesme; është lumnuar motër
Mari Alfonsinë, lindur në Jeruzalem e themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares.
“Dhurata më e madhe që mund të dëshirojmë, më shumë se paratë e pasuria – pohon
imzot Tval – është ajo e paqes… Paqja është dhuratë e Zotit për njerëzit vullnetmirë.
Duhet ta fitojmë”. Patriku i Jeruzalemit e mbyll mesazhin me profecinë e Izaisë, në
shpresën se një ditë banorët e kësaj Toke “shpatat do t’i kthejnë në plore e heshtat
në drapërinj”. Por për shpresën, që mbizotëron mbi çdo vështirësi aktuale, të dëgjojmë
vetë Patrikun Fuad Tval, në mikrofonin tonë: Po, këto shenja kontradiktore
e të vështira nuk duhet të na dëshpërojnë. Ne jemi më të fortë se frika, se dëshpërimi.
Ka anë të tjera pozitive. Seminari ynë është plot dhe numri në rritje i turistëve
dhe i shtegtarëve, që vijnë nga e gjithë bota, na bën të përjetojmë një solidaritet
fantastik. Para nesh, edhe Zoti ka vuajtur e nuk ia ka dalë në çdo gjë. Para nesh
derdhi lot për Jeruzalemin. Por ne nuk duhet të rrimë duarkryq e të dëshpërohemi. Para
pak ditësh, ju ishit për vizitë në bashkësinë e Gazës… Gaza është një qytet
që vuan. Një nga problemet më të mëdha të tanishme, përveç bllokimit ekonomik që vazhdon,
është ndotja e ujit të pijshëm. Ka një milion e gjysëm persona në Gazë, që rrezikojnë
të sëmuren nëse pijnë këtë ujë. Për bashkësinë e krishterë, ajo që nuk është normale
për të tjerët është kthyer në diçka të zakonshme. Këto ditë presin lejen për të dalë
nga Gaza. Ne u kërkojmë autoriteteve izraelite lejen që të krishterët e Gazës të vijnë
e të luten me ne në Betlehem. Këto ditë mund të shkojnë edhe të vizitojnë familjarët,
ndoshta edhe të sëmurë… është e vetmja mundësi për t’u takuar. Shpresojmë që qeveria
e Izraelit t’i japë lejet para Krishtlindjes. Vizita e Atit të Shenjtë
ka qenë një shenjë e fortë afërsie me këtë popullsi. Të shpresojmë që Krishtlindja
t’i inkurajojë të gjithë në rrugën drejt paqes… Po, Krishtlindja është rast
për ta parë Jezusin me ne, për t’u bashkuar më shumë në Kishë, në familje, me miqtë;
është rasti për të nënvizuar solidaritetin e krejt botës. Krishtlindja është Lindja
e Krishtit e duhet ta përjetojmë jo në përmasën e saj të jashtme, por në mesazhin
e saj shpirtëror e të brendshëm, që na përket të gjithëve: është mesazh paqeje, qetësie,
për të cilin kemi shumë e shumë nevojë.