Krishtlindja le të jetë vërtetë kremtim i krishterë.
(22.12.2009 RV)Dëgjues të nderuar këtyre ditëve Kisha na fton ta përshpejtojmë
përgatitjen e zemrës sonë për ta pritur Foshnjen Hyjnore të lindur në Betlehem.
Pra po vjen Krishtlindja, festa e madhe për ne të krishterët, të cilën Shën Gjon Gojarti
e quan festën më kryesore, sepse prej saj burojnë të gjitha festat e krishtera. Po
afrohet Dymbëdhjetëditëshi, d.m.th. dymbëdhjetë ditët festive nga Krishtlindja deri
te Theofania apo Dëftimi i Zotit, të cilat jemi të ftuar t’i festojmë në mënyrë të
denjë shpirtërore duke takuar e pranuan Hyjin në zemrën tonë, në mënyrë që shpirtrat
tanë të shijojnë gëzimin, paqen, ngazëllimin dhe dhurata të tjera shpirtërore që na
ofron Foshnja Hyjnore e Betlehemit. Gjatë ditës së parë të Dymbëdhjetëditëshit,
në festën e Krishtlindjes më 25 dhjetor, engjëlli Tënzot u sjell nga qielli lajmin
e gëzuar barinjve dhe iu thotë: “... ja unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të
madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi Krishti Zot!”
(Luk.2:10-11). Por dhe “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë
njerëzve, që i ka përzemër!”. (Luk.2:14) Lavdërojnë e falënderojmë Hyjin për mishërimin
e Birit dhe Fjalës së Tij Hyjnore për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Gjatë
ditës së fundit të Dymbëdhjetëditëshit, në festën e Dëftimit të Zotit që ndër shqiptarë
njihet si festa e Ujit të Bekuar me 6 janar, hapen qiejt dhe Shpirti i Shenjtë Zot
në formë pëllumbi zbret sipër Jezu Krishtit të pagëzuar dhe zëri i Atit Qiellor dëshmon
se me të vërtetë i pagëzuari është Mesia, i dërguari i Hyjit për shpëtimin e njerëzimit.
Lidhur më këtë ja çka thotë Shën Pali Apostull në Letrën e tij dërguar Galatasve: “Por,
kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar
Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në
shpirt. E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tina Shpirtin e
Birit të vet, i cili gërthet: Abba - o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir, e ,
pasii je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar me anë të Krishtit”.(Gal.
4:4-7). Ja pra për ne Krishtlindja është dhuratë e trashëgimisë Hyjnore e kjo do të
thotë se Zoti është vërtetë me ne, përgjithmonë!.