Toka Shenjte përgatitet të kremtojë Krishtlindjen:dëshmia e famullitarit të Beit Zhala
(21.12.2009 RV)Betlehemi “qytet-simbol
i paqes, në Tokën Shenjte e në botën mbarë”. Këto qenë fjalët e djeshme të Papës Benedikti
XVI, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Siç e dëgjuat, Ati i Shenjtë kujtoi se megjithëkëtë,
edhe në ditët e sotme, paqja e qytetit ku lindi Krishti nuk është e qëndrueshme, por
tepër e brishtë. Pavarësisht nga kjo, qyteti i vogël i Judesë është gati të kremtojë
Krishtlindjen. Takimi i parë, më 24 dhjetor, me Patrikun latin të Jeruzalemit, imzot
Fuad Tval, i cili edhe dje, në praninë e një delegacioni të Pax Christi-t, kremtoi
një meshë në Gazë, një vit pas operacionit ushtarak izraelit kundër ekstremistëve
të Hamasit. Por cila është gjendja aktuale e këtyre ditëve në Betlehem? Të dëgjojmë
famullitarin e Beit Zhala, afër Betlehemit, atë Ibrahim Shomali: Është gjithnjë
me të vërtetë bukur të kremtosh Krishtlindjen, pasi Lindja e Krishtit do të thotë
se Zoti ka ardhur për të na vizituar. Vizita e tij është shumë e bukur për ne. Sidomos
në këto kohë, pasi zakonisht hapen portat e mbyllura të murit të Betlehemit, që të
hyjë, më parë Patriku e më pas të gjithë ata që kremtojnë. Pastaj do të jetë një qytet
i hapur për të gjithë. Kjo është ëndrra e njerëzve të Betlehemit: t’i hapin qytetin
krejt botës, që të gjithë të vijnë për të kremtuar Krishtlindjen te ne. Cilat
do të jenë kremtimet e këtij viti? Në Betlehem kemi kremtime të veçanta: Patriku
i Jeruzalemit Fuad Tval do të hyjë solemnisht në shesh, i pritur nga të gjitha bashkësitë
skaut të Palestinës në orën një e gjysëm. Zakonisht, ka shumë njerëz, që vijnë nga
krejt Palestina. Edhe myslimanët marrin pjesë në këtë festë, ashtu si Autoriteti palestinez.
Më pas, do të kremtohen Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Katerinës, në Bazilikën
e Lindjes së Krishtit, ndërsa në mesnatë do të fillojë Mesha e Betlehemit për gjithë
botën. Ditën e dytë, më 25, dita e Krishtlindjes, në orën 10, do të kremtohet Mesha
për famullinë e anëtarët e bashkësisë. Kremtimet do të bëhen, por a mund të
na thoni cila është situata përreth jush? Nuk ka ndryshuar aspak, pasi muri
ekziston akoma, megjithëse nuk shohim ushtri përreth: mbyllje e plotë për njerëzit.
Po presim lejen e autoriteteve, por askush nuk e di se kur do të mbërrijë. Gjendja
pra, është shumë e vështirë. Është e vërtetë se nuk ka luftë, por paqja nuk është
mungesa e luftës: zjarri është i ndezur nën hi. Edhe dje, Papa pati një mendim
e lutje të veçantë për Betlehemin. Ka edhe shumë iniciativa kishtare si ajo e Pax
Christit, për solidaritet me popullsinë. Si përjetohen në vend këto thirrje e nisma? Ati
i Shenjtë është zëri moral i krejt botës. Ne e dimë mirë që zëri i Benediktit XVI
dëgjohet. E dimë se Papa ka qenë gjithnjë pranë nesh: vizita e tij në Betlehem ka
pasur sukses të madh. Dikush, jo më larg se dje më tha: “Ne lutemi për Papën, pasi
kur erdhi në Tokën Shenjte e kemi ndjerë si një atë që vjen të përshëndesë bijtë e
vet, të tregojë dashurinë për ta e t’u thotë fjalët e së vërtetës”. Ky zë ngrihet
në shkretëtirën e zemrave njerëzore. Shpresojmë që një ditë, ashtu si zëri i Shën
Gjon Pagëzuesit, të dëgjohet nga të gjithë.