2009-12-21 12:53:53

Përkujtojmë jezuitin Patër Dedën e Madh në 162-vjetorin e ditëlindjes.


(21.12.2009 RV)E quajtën Patër Deda i madh jo vetëm sepse kishte shtat vigan, por kryesisht sepse vigan e kishte shpirtin, kulturën, dashurinë, vëllazërimin. Për ta përshkruar si duhet portretin e Atë Domeniko Pazit, misionar jezuit italian, duhet të lexosh tre vëllimet e veprës monumentale "Albania". E, si ta kesh kryer së lexuari, do të kujtohesh se jeta e këtij misionari të ndritur është krejtësisht e shkrirë me jetën e popullit shqiptar.
Ishte Pater Deda ai themeloi misionin e famshëm shëtitës të jezuitëve, i cili i ngjitej shkrepave e majeve të maleve shqiptare, mbuluar me dëborën e përjetshme e ulej rreth vatrave malësore, ku vrisnin njëlloj ngrica e arma, për të zbutur jetën e për të pajtuar gjaqet.
Rreth këtij misioni, kudo i shkelte këmba, mblidheshin burra e gra, pleq e fëmijë, për të dëgjuar fjalën e Krishtit, për të falur e për t'u pajtuar në emër të tij. Patër Deda jezuit e shkriu një pjesë të mirë të jetës ndërmjet këtyre njerëzve, për t'u kthyer herë pas here në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër, ku kishte qenë i pari rektor e ku kishte botuar shumë tekste për shkollat shqipe.
Në netët e errëta të bjeshkëve, nën dritën e pishtarit, ai ulej përdhé e shkruante mbresat e ditës, të ditëve, historinë e atij vendi e atyre njerëzve të thjeshtë, të ngatërresave, armiqësive, gjaqeve, pajtimit e paqes që binte ndër vatrat ku hynte Kryqi. Shkruante historinë e luftës e të paqes, të njerëzve e të Kishës. Kur kthehej pastaj në Shkodër, e përpunonte materialin, të cilin sa qe gjallë nuk mundi ta shihte të botuar. Duke ecur në gjurmët e tij, shkrimet e Patër Dedës së Madh, i përpunoi dhe i botoi sivëllai rregulltar jezuit, Atë Fulvio Kordinjano, duke na lënë trashëgim tre vëllimet e "Albanisë". Nuk është lehtë ta njohësh e ta tregosh jetën e misionarit të madh jezuit po vërtetë meriton të njihet. Ne vetëm sa e kujtuam sot, me mirënjohje të thellë, në 162 vjetorin e lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.