2009-12-21 15:55:55

Krishti është dritë, duhet ta pranojmë plotësisht këtë mesazh, që përsëritet në shekuj


(21.12.2009 RV)Dëgjues të nderuar këtyre ditëve vazhdojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e festës së Krishtlindjes. Sot duam të ndajmë bashkë me ju një mendim të shkurtër e të thjesht shpirtëror.
Pra, vetëm edhe pak ditë tashmë na ndajnë nga festa e Lindjes së Krishtit, e këndej duhet të përshpejtojmë përgatitjen e zemrës për t’i bërë në zemrën tonë VEND ZOTIT që po vjen . Festa e Krishtlindjes na thotë se të gjithë kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misteri i Lindjes së Krishtit, tek misteri i mishërimit të Dashurisë së Zotit, që të na hyjë në shpirt deri në atë pikë e masë, sa të mund të themi se jemi vërtetë të krishterë, që do të thotë të jemi njerëz të cilët e kanë aromën e Krishtit, njerëz që bartin e përhapin e dashurinë jetëdhënëse në jetën e përditshme.
Koha Kishtare e Ardhjes që tani po përjetojmë e cila tashmë është përfundim e sipër, niset pikërisht nga Lindja e Jezu Krishtit Zot, nga depërtimi i Jezusit në histori për të hapur brenda kësaj historie njerëzore, të njollosur nga mëkati e të pushtuar nga errësira, një shteg shpëtimi e rilindjeje në Emanuelin Zotit me ne.
Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, se Biri i Zotit, Jezu Krishti është mishëruar, se është bërë njeri, por shëlbimi që Ai ka realizuar nuk ka përfunduar së përmbushuri, shëlbimi Hyjnor pra nuk është kryer në mënyrë përfundimtare; shëlbimi Hyjnor ka filluar, si tharm, si fryt i parë e vazhdon së realizuari, së mishëruari në historinë e përditshme njerëzore.
Ne pra e presim kthimin e Jezusit, që në mënyrë përfundimtare të përmbushet shëlbimi Hyjnor, që njerëzimi të çlirohet plotësisht e përfundimisht nga pesha e fajit dhe bota të lirohet nga skllavëria e mëkatit. Ne presim qiej të rinj e tokë të re, e ndërsa kujtojmë ardhjen e Jezusit në histori, ndezim kandilin, apo më mirë të themi e mbushim me vaj – për të dalur pastaj të përgatitur si duhet në takim me Zotin që vjen. Me këtë shpresë e me sigurinë e lindjes së Krishtit ndër zemra, ta presim festën e Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.