2009-12-19 15:07:44

“Drejt Krishtlindjes, duke shembur muret”: editorial i Atë Federiko Lombardit për ‘Octava Dies’.


(19.12.2009 RV)Krishtlindja, që afrohet, nuk mund të mos na risjellë në kujtesë shtegtimin e Benediktit XVI në viset ku lindi Krishti, majin e kaluar, gjatë vizitës së tij në Tokën Shenjte. Një shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës e njëkohësisht ku – per paradoks – kjo dashuri lëndohet shumë shpesh nga vuajtjet, dramat, muret. E pikërisht këtë shtegtim, paralelisht me udhën që vijojmë të bëjmë të gjithë drejt Krishtlindjes 2009, na kujton Atë Federiko Lombardi në editorialin për të përjavshmen informative të Qendrës Televizive të Vatikanit, Octava Dies:
“Ndërsa shtegtojmë drejt Betlehemit për Krishtlindje, na lind vetvetiu dëshira të rikthehemi në ditën - shtatë muaj më parë - kur shkonim në Betlehem me Papën Benedikti, shtegtar në Tokën e Zotit. Cilat janë kujtimet më të paharrueshme?
Natyrisht kremtimi festiv në Sheshin e Grazhdit, përplot me njerëz. Ndonëse në rrethana të ndryshme nga ato të Shpellës së Betlehemit, ashtu siç ishte dymijë vjet më parë; e pastaj gjithnjë Eukaristia, çasti në të cilin rijetohet misteri i pranisë së vërtetë të Jezusit me ne.
Por është vështirë të mos kujtosh kalimin dhe kërcënimin e murit. Me të drejtë, atë mbrëmje, në përshëndetjen para se të largohej, Papa tha: “Të gjithë e dimë se muret nuk mbeten përgjithnjë në këmbë. Mund të shemben. Por, mbi të gjitha, duhet t’i shembim muret, që ndërtojmë rreth zemrave tona; gardhet, që lartojmë kundër të afërmit tonë”.
Papa shkoi për t’u lutur në Shpellë, por edhe atje – ashtu si në viset e tjera të shenjta – vërehet se të krishterët nuk janë të bashkuar me njëri-tjetrin: duhen caktuar vendet e rendet e kremtimeve, për të shmangur grindjet! E kur, më në fund, nuk do të kemi më përçarje?
Por kujtimi më i dhembshur është ai i fëmijëve të sëmurë të Caritas Baby Hospital në duart e Papës. Brishtësi e pafundme e njerëzimit! Forcë misterioze e pathyeshme e dashurisë! Sa i brishtë është Jezusi, që lind në Betlehem, por sa i fuqishëm, mesazhi i dashurisë! Dashuri, që na dhurohet, por që edhe na kërkohet me ngut nga kjo brishtësi! Cila mendje njerëzore do të kishte mundur ta përfytyronte këtë mesazh të pabesueshëm? Të shkojmë për ta parë Foshnjën. Zoti është ende me ne!".







All the contents on this site are copyrighted ©.