Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Profeti, Njeri i madh para Zotit”.
(19.12.2009 RV)Emisioni i 20-të i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”,
i përgjigjet pyetjes: “Kush është profeti?” .
Ungjilli na kujton: "E
shumë do të lumnohen për lindjen e tij; sepse ai do të jetë i madh
përpara Zotit”. Lk 1,5-25
"Një profet,
po, e pse jo? Njeri që rrezikon jo veç me fjalë por, sidomos, me vepra, me
jetën vetë, ditë për ditë. Profet është ai që vjen të na zgjojë çka kemi më
të mirë. Në shpirt na ndikon dëshirën të dalim nga vetvetja e të rrahim flatrat
drejt lartësish. Na e shkul nga goja gjuhën gënjeshtare. E na dhuron gjuhë
të re, për t’i folur botës. E sy të rinj, për ta parë njeriun në zemër; e
veshë të rinj, për të dëgjuar harmonitë e krijesës. Syri i ri kur tjetrin e
shikon nuk pyet për ngjyrë lëkure. E veshi i ri di të dëgjojë tinguj të
rinj. Njeriu ulet rreth tryezës ku shtrohen të gjithë: edhe i huaji e i
panjohuri. Domethënë tjetri! Profet është ai që hap një shteg përtej nesh,
përtej tjetrit. E edhe ne na fton ta kapërcejmë, pa frikë. Profeti kthen
zemrat e baballarëve e i mbush plot dashuri për bijtë, U jep rebelëve, urtinë
e të drejtëve. Zotit i përgatitë një popull të gatshëm për të ecur në shtigjet
e tija”.