2009-12-19 16:29:54

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të Ardhjes:
Zoti gjendet në jetë e jo në ide!


(19.12.2009 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik, kohë shpirtërore që paraprijnë dhe përgatit festën e Krishtlindjes, tashmë tek porta.
Të nderuar miq e dashamirë kudo që ndodheni, vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga NATA e Shenjtë e LINDJES SE KRISHTIT, nga festa e Përqafimit të Zotit me njerëzimin, nga festa e Emanuelit - Zotit me ne! E të presësh kremtimin e ardhjes së Dikujt do të thotë të përgatitesh që kur të vijë çasti ti dalësh para me gëzim për ta pranuar e përqafuar.
Në këtë perspektivë të përgatitjes e kremtimit të Ardhjes së Zotit ndër ne, këtë të diele të 4-të dhe të fundit të kohës liturgjike të Ardhjes, na ndihmon shembulli i dy grave, protagoniste të pjesës së Ungjillit të kësaj së diele: Maria dhe Elizabeta, të dyja vegla të mira dhe inteligjente të Zotit së Jetës.
Dy nënat takohen secila duke bartur në vete jetën e zënë në mënyrë të jashtëzakonshme e të papritur, jashtë logjikës biologjike e njerëzore. Dy histori të ndryshëm të bashkuara nga plani i hartuar mjeshtërisht nga dora e heshtur e Provanisë Hyjnore për shëlbimin e njerëzimit, që bën kështu të takohen dy Foshnjat ende në kraharorin e nënave të veta: Jezusi në kraharorin e Marisë e Gjon Pagëzuesi në atë të Elizabetës. Ky takim është simboli e parashijim i takimit tonë të vërtetë të Zotit me njerëzimin, që shpreh dhe kumton festa e Krishtlindjes. Kjo e kremte na paraqet edhe një herë ngjarjen, absolutisht më të rëndësishme të historisë së botës, do të thotë ardhjen e Zotit mbi tokë. Në Betlehem Zoti na tregon vendin dhe kushtet e takimit me Të: nëse nuk kthehemi me zemër në shpirtin dhe frymën e Betlehemit, mbesim pambarimisht në anën e Herodit e të armiqve të Zotit. Zgjedhja e Betlehemit për të depërtuar në kohë e histori të njerëzimit është zgjedhje dhe përcaktim i Zotit i cili na propozohet në grazhdin e shpellës së Betlehemit: këtu e kështu Zoti zgjedhë përvujtërinë, zgjedhë vendin e mbramë: kjo është përgjigja ndaj mendjemadhësisë së njeriut; Zoti zgjedhë varfërinë: kjo është përgjigja e tij ndaj urisë sonë të pangopur për pasurim të pakufishëm e të paskrupullt; në Betlehemi Zoti zgjedhë butësinë e mirësinë: e kjo është përgjigja e tij ndaj dhunës e mos tolerancës sonë.
I fuqishmi i vërtetë është i durueshëm; për Atë që më të vërtetë është i fortë është i butë: durimi e butësia janë forca që e mposhtin dhunën. Këtë na garanton Zoti, këtë na pohon Krishtlindja.
E tani ju ftojmë ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Ardhjes e pastaj komentin.........RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Mik 5, 1-4

Tetë shekuj përpara ardhjes së Krishtit, profeti Mikea shpallte lindjen e Tij në Betlehem. Profecia e tij një ditë do t’i udhëhiqte dijetarët të gjenin Mesinë. Hyji premton që vendi i Judesë sot i shtypur nga armiqtë, një ditë do të rizgjohet: do të lindë një grua, nga e cila do të lindë një mbret i kujdesshëm si një bari që do të bëjë të mundur jetën dhe do të vendosë paqen.

Lexim prej Librit të Mikesë profet

Kështu thotë Zoti: “E ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër bajraqet e Judesë, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit. Prandaj Hyji do t’i dorëzojë derisa të lindë ajo që ka për të lindur. Atëherë teprica e vëllezërve të tij do të kthehet ndër bijtë e Izraelit. Ai do të ngritët, do të udhëheqë me fuqinë e Zotit, me madhërinë e emrit të Zotit Hyjit të vet. Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit: e Ai – ai vetë do të jetë paqja!”
Fjala e Zotit

Psalmi 80

Shndrite fytyrën tënde e na shëlbo, o Zot
------------
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
------------
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
------------
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
------------
Leximi i dytë Heb 10, 5-10

Jezu Krishti i ofrohet Atit për të kryer vullnetin e tij. Krishti ka themeluar kultin e ri të krishterë që realizohet duke falënderuar Hyjin. Çdo ditë në veprimet tona duhet të pohojmë: “Ja, unë po vij o Hyj për të kryer vullnetin tënd. E gjithë vlera e jetës sonë, e lutjes sonë qëndron në realizimin e këtij vullneti.

Leximi prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, Krishti duke hyrë në botë, thotë: “Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ‘Ja, po vij!’ sepse për mua shkruan në rrotullën e librit: ‘Për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd!’ Pasi tha më lart: “Flitë e kushtet, holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen dhe nuk i deshe” – e pra, flitet për fli të urdhëruara prej Ligjit – thotë pastaj: “Ja, po vij për të kryer vullnetin tënd!” kështu shfuqizon kultin e parë për të vendosur të dytin. Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë.
Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 1, 39-48

Dy gra presin secila nga një fëmijë dhe janë të lumtura, por lumturia e tyre shkon përtej: pritja e tyre është edhe shpresa e një populli të tërë. Përderisa jetojnë me besim ato provojnë efektet e pranisë së Hyjit. Kthimet e mëdha dhe ripërtëritjet e thella në histori fillojnë gjithmonë në sekret.
Jeta ashtu si besimi zhvillohen në qetësi dhe në gëzimin e fshehur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.