2009-12-19 15:13:47

Kardinali Anxhelo Komastri, vikar i Papës për Shtetin e Vatikanit: Shpirti i Evropës është krishterimi!


(19.12.2009 RV)“Nuk ka dyshim se shpirti i Evropës është krishterimi”. Kështu foli kardinali Anxhelo Komastri, vikar i Papës për Shtetin e Vatikanit, me rastin e Ditës së 39-të të Evropës, që u festua javën e kaluar. Objektivi i këtij manifestimi është të nënvizojë vlerën e kulturës evropiane, së përbërë nga arti, teatri, muzika, por edhe nga kërkimi shkencor, mjekësia, puna. Për këtë arësye, në Romë iu dhanë çmime 100 eksponentëve të botës kulturore, sportive, gazetareske dhe përfaqësuesve të rendit. Të dëgjojmë vetë kardinalin Anxhelo Komastri:

Përgjigje: Ky është një çmim që synon mbi të gjitha, të ngjallë impenjimin për rizbulimin e detyrës që kemi të gjithë për të ndërtuar Evropën. Evropa është vetëm një fjalë, një fjalë që vjen nga e kaluara, por që nuk i përgjigjet më së tashmes. Ata që sot kanë përgjegjësi për promovimin e kulturës duhet të kujtohen se Evropa nuk mund të ekzistojë nëse nuk ka një shpirt të vetëm.

Pyetje: Dhe ky shpirt i Evropës është krishterimi?

Përgjigje: Nuk ka farë dyshimi se shpirti i Evropës është krishterimi, sepse vlerat që janë në bazë të qytetërimit evropian janë vlera që burojnë nga krishterimi. Vetë filozofi Emanuel Kant, që në fund të fundit nuk ishte i krishterë dhe aq i mirë, – ose më mirë të themi se nuk ishte fare, – pati deklaruar: “Ungjilli është gurra e të gjithë kulturës sonë”. Nuk do të kishte respekt për jetën pa krishterimin; nuk do të kishte respekt për fëmijët pa krishterimin; nuk do të kishte respekt për gruan pa krishterimin; njerëzit nuk do të gëzonin respekt të barabartë – kur lindi Jezu Krishti bota ishte e ndarë në njerëz të lirë dhe në skllevër; nuk do të kishim kultin e paqes, sepse paqja ka lindur me Këngën e Engjëjve në Betlehem. Sot, ky impenjim dhe ky pasion për paqen – shumë janë ata që nuk e dinë – është fryt i kulturës së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.