2009-12-18 18:29:40

Sot Kisha përkujtoi Malakinë profet.


(18.12.2009 RV)Shën Malakia profet është i fundmi i profetëve të vegjël të Biblës. Prandaj izraelitët e quajnë “Vula e profetëve”. Pak e aspak dimë për jetën e tij. Dihet vetëm se ishte nga fisi i Zabulonit e se lindi në Sofa. Besohet të ketë jetuar pas internimit në Babiloni (538 para Krishtit), gjatë pushtimit persian. Gjithsesi nuk mund të vërtetohet me saktësi në se profetizoi para, pas, apo njëkohësisht me kthimin e Ezdrës, kryeprift hebre, kodifikues i judaizmit, në shekullin V-IV para Krishtit.
Meqenëse në Librat e Ezdrës e të Nehemisë, në Besëlidhjen e Vjetër, nuk flitet për Malakinë, mund të arrijmë në përfundimin se ai duhet të ketë jetuar pas tyre, ndoshta nga viti 519 deri në vitin 425 para Krishtit.
Libri i Malakisë trajton probleme morale, që lidhen me bashkësinë hebraike, të sapo kthyer nga mërgimi babilonez, të cilën e qorton për ankimet kundër Provanisë Hyjnore, duke e nxitur të pendohet.
Ai vë në dukje se zgjedhja e Izraelit nuk është vetëm privilegj hyjnor por, si çdo dhuratë hyjnore, ka edhe detyrime. I qorton, prandaj, ashpër priftërinjtë, që e lënë pas dore dhe e fyejnë dinjitetin e Jahveut e kultin e Tij.
Duke folur për zakonet e kohës, dënon martesat e përzjera e mbron pazgjidhshmërinë e martesës.
Libri përfundon me vegimin eskatologjik të fundit të botës. Profeti paraflet edhe ardhjen e lajmëtarit të Zotit, që do t’i shoshitë të mirët e popullit të vet. Mendohet se me këtë profeci paralajmëron ardhjen e Gjon Pagëzuesit.
Etërit e Kishës janë një mendjeje kur e shikojnë Malakinë si parafolës profetik të flijes së Meshës, të Jeruzalemit, që e humbet titullin ‘vend ku duhet adhuruar”, e të Jezusit, që e themelon ritin eukaristik për mbarë njerëzimin.
Në librin e Malakisë shprehet me forcë mendimi se drejtësia e Zotit nuk ndryshon e se feja e vërtetë është universale.







All the contents on this site are copyrighted ©.