2009-12-17 14:33:08

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është Krishtlindja për ne?


(17.12.2009 RV)Të dashur dëgjues, po afrohet Krishtlindja e sëbashku me rubrikën tonë të veçantë për këtë periudhë, nuk mund të mos merremi edhe me fjalët që e rrethojnë këtë festë, e cila është lindja e Krishtit, por edhe lindja e njeriut të ri brenda nesh, është edhe rinovimi i jetës. Të pyesim pra: ç’është Krishtlindja për ne?

Krishtlindja nuk është festuar gjithnjë nga bota e krishterë, edhe pse nuk dihet me saktësi data e lindjes së Foshnjes Hyjnore. 25 dhjetori ka zëvendësuar një festë pagane romake, që kremtonte Zotin Diell e që njihej si dita e lindjes së Zotit të Pathyeshëm.
Qe perandori Kostandin, që e pranoi i pari krishterimin, ai që zëvendësoi festën pagane, shumë të njohur nga popullsia, me kultin e krishterë të lindjes së Jezusit. E duhet të presim vitin 336, që kjo festë të njihet botërisht e t’i jepet e njëjta rëndësi si festës së Ujit të Bekuar, që kishte ardhur më herët nga Lindja në Perëndim. Por vetëm nën perandorin Justinian, pra në vitet 527-565, kjo festë do të njihet ligjërisht.
Krishtlindja lidhet me traditën, pasi pikërisht në këtë ditë, të krishterët festojnë ardhjen e Dritës së Botës, për të mundur errësirën. E Foshnja Hyjnore që vjen në Tokë përuron një jetë të re dhe u sjell Dritën të gjithë njerëzve. Lindja e Krishtit është kështu maja e dashurisë së Zotit për krijesën e tij, njeriun. Jezusi “ia mohoi vetvetes hyjninë e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (Fil 2:7). “Duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij” (2Kor 8:9).
Ardhja e Krishtit në këtë botë ka si qëllim “të shkatërrojë veprën e djallit”, siç thuhet në Letrën e parë të Gjonit e në Librin e Zanafillës (3:8b; 3:15).
Ja shkurtimisht se ç’do të thotë Krishtlindje nëse duam t’i qëndrojmë besnikë Fjalës së Zotit. Asnjë sentimentalizëm, asnjë poezi, asnjë koreografi apo traditë të mos e fshehë fytyrën e vërtetë të Lindjes së Jezusit.
Për këtë, pa dyshim duhet zhveshur Krishtlindja moderne nga të gjitha mësimet e gënjeshtërta, që mundohen t’u fusin në kokë besimtarëve, nga më i madhi tek më i vogli. Pema e krishtlindjes, që vjen nga kulti i zotit gjerman Odini, mund të zbukurojë shtëpitë, ashtu siç mbush pyjet e korishtet, ose shpella e Betlehemit mund të ketë edhe kaun e gomarin, marrë nga ungjilli apokrif i pseudo Mateut, por kujtimi i Lindjes së Krishtit nuk duhet kthyer në rast për t’u argëtuar, siç bën fëmija me kukullat e veta, e as për të ridimensionuar figurën e Jezusit, duke e shndërruar në një foshnjë të pambrojtur, që e lë veten thjesht të përkundet. Krishtlindja është festa e Zotit të gjallë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.