2009-12-17 17:28:57

Papa studentëve romakë: “Shihni gjithçka në dritën e Dijes së Zotit. Të ndihmosh të tjerët të zbulojnë fytyrën e Tij të vërtetë është forma e parë e bamirësisë”


(17.12.2009 RV) RealAudioMP3 Sot pasdite në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Benedikti XVI kremtoi Lutjen Mbrëmësore të fillimit të Nëntëditëshit të Krishtlindjes sëbashku me universitarët e Atenejve të Romës. Takimi para Krishtlindjes është bërë tashmë traditë dhe shërben për t’i dhënë hov të ri baritorisë së studentëve të universitetit, që këtë vit liturgjik do të ketë si temë “Eukaristia dhe bamirësia intelektuale”. Është hera e parë, që Papa kremton Mbrëmësoren në vend të Meshës, siç bëhej në vitet e kaluara.
Që në fillim, Ati i Shenjtë pyeti “Cila është dija e urtia që lind në Betlehem?” Ndodhemi para paradoksit të Dijes së dalë nga goja e të Tejetlartit, por që shtrihet e lidhur në shpërgëj në një grazhd. Ajo që lind në Betlehem, sqaroi Papa, është Dija e Zotit:
“Nuk ka zgjidhje për këtë paradoks, përveçse në fjalën “Dashuri”, që në këtë rast duhet shkruar me ‘D’ të madhe, pasi kemi të bëjmë me një Dashuri, që tejkalon pafundësisht përmasat njerëzore dhe historike… një profesor i krishterë, ose një i ri student i krishterë bart brenda vetes dashurinë e pasionuar për këtë Dije! Lexon gjithçka në dritën e saj; i sheh gjurmët e saj në grimcat elementare të materies dhe në vargjet e poetëve; në kodet juridike e në ngjarjet e historisë; në veprat artistike e në shprehjet matematike”.
Pa ndërhyrjen e Zotit e të Dijes së Tij nuk është bërë asgjë nga ç’ekziston në botë, prandaj të gjitha sendet e pasqyrojnë këtë Urti. Por, Fëmija Hyjnor në grazhdin e Betlehemit është i rrethuar nga njerëz të thjeshtë: Jozefi e Maria, barinjtë. A mos kjo do të thotë se studimi nuk duhet gjë, pasi Zoti preferon të thjeshtët – pyeti Papa, e pastaj shpjegoi:
“…fjala është për të studiuar, për t’i thelluar njohuritë, duke ruajtur një shpirt prej “të vegjëlish”, një zemër të përvujtë e të thjeshtë, si ajo e Marisë, “Seli e Dijes”…Në atë Shpellë, secili prej nesh mund të zbulojë të vërtetën mbi Zotin e mbi njeriun… Të ndihmoni të tjerët të zbulojnë fytyrën e vërtetë të Zotit është forma e parë e bamirësisë, që për ju merr cilësinë e bamirësisë intelektuale”.
Së fundi, para se t’jua besonte studentët e profesorët shën Marisë Virgjër, Benedikti XVI u ndal tek puna e baritorisë universitare, duke uruar që rruga e këtij viti liturgjik me temë “Eukaristia dhe bamirësia intelektuale” të sjellë fryte të bollshme:
“…nuk mund të mos i ftoj të gjitha Universitetet të jenë vende formimi për veprimtarë të vërtetë të bamirësisë intelektuale. Prej tyre varet e ardhmja e shoqërisë, sidomos përsa i përket gjetjes së një sinteze të re humanistike dhe të një aftësie të re projektimi. Inkurajoj të gjithë përgjegjësit e institucioneve akademike ta vazhdojnë këtë rrugë, duke bashkëpunuar në krijimin e një bashkësie, në të cilën të gjithë të rinjtë të mund të formohen, të piqen e të bëhen të përgjegjshëm për realizimin e “qytetërimit të dashurisë”.
Në përfundim të kremtimit të Lutjeve Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, delegacioni i universitarëve australianë u dorëzoi studentëve afrikanë ikonën e shën Marisë “Seli e Dijes”. Kujtojmë se ikona kalon nga një vend në tjetrin, gjithnjë në duart e të rinjve, të cilët mblidhen rreth saj për t’u lutur e për aktivitete të tjera kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.