2009-12-17 12:06:20

Nënë Tereza model për t’u imituar. Mesazhi i ipeshkvijve të Shqipërisë për Krishtlindje


(17.12.2009 RV)RealAudioMP3 Ftesa drejtuar katolikëve që të shohin në Foshnjën Hyjnore “lindjen e njeriut të ri”, që të shoqërojnë me lutje meshtarët dhe të impenjohen të ndjekin në jetë shembullin e Nënë Terezës, së Lumes shqiptare të bamirësisë, “shembull i respektit për jetën dhe i kujdesit për nevojtarët”, e së fundi, ftesa drejtuar politikanëve që të gjejnë rrugën e dialogut për zgjidhjen e problemeve: ky është thelbi i mesazhit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për Krishtlindjen e sivjetme. Për t’u theksuar se ky mesazh ka pasur jehonë të gjerë në agjensitë e ndryshme katolike e sot shkruan për të edhe gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”.
“Pranojeni këtë të vërtetë për njeriun – shkruajnë ipeshkvijtë – të vërtetën e zbuluar në fshehtësinë, në heshtjen e në thjeshtësinë e Natës së Krishtlindjes. E vërteta është kjo: nuk mund të ekzistojë njeriu pa Zotin. Njeriu nuk mund të mohojë Zotin, pa mohuar vetveten”.
Me rastin e Vitit Meshtarak, prelatët shqiptarë u kërkojnë besimtarëve të luten për meshtarët, “që të përforcuar në Zotin të bëhen meshtarë të shenjtë”, si edhe për thirrjet e reja për meshtarë e rregulltarë. Ipeshkvijtë theksojnë se meshtarët duhet ta shpallin Ungjillin, para së gjithash, me dëshminë e jetës. Nënë Tereza, e cila në vitin 2010 do të mbushte 100 vjeç, është shembulli që duhet ndjekur, pasi “i ka kujtuar shoqërisë së sotme anonime se çdo njeri ka dinjitet të patjetërsueshëm”.
Pjesa e fundit e mesazhit përmban një thirrje për politikanët që të zgjedhin rrugën e dialogut për të zgjidhur kundërshtitë. “Polarizimi politik, kur bëhet shkak për ndarje, është një e keqe që duhet kapërcyer”, pohojnë ipeshkvijtë, për të cilët “dashuria për atdheun duhet të tejkalojë interesat e partive” dhe “impenjimi për të mirën e përbashkët duhet të shkojë përtej çdo ideologjie politike”. Duke marrë si shembull bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve, prelatët i ftojnë politikanët të kërkojnë ç’është e dobishme për popullin dhe të tregojnë respektin e duhur ndaj njëri-tjetrit në debate e konfrontime, pa përdorur fjalor ofendues, jo të përshtatshëm për ata që përfaqësojnë popullin. “Njerëzit kanë të drejtë të shohin tek ju një model në sjellje” përfundon mesazhi i Kishës së Shqipërisë. Pikërisht ky është argumenti i intervistës së kryeredaktorit tonë, don David Gjugja me zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Gjergj Meta. Ta dëgjojmëRealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.