2009-12-16 17:59:35

Mesazhe të Papës Benedikti XVI, të Patrikut Bartolomeu I dhe të kryeipeshkvit anglikan Rouan Uiliams për takimin e të rinjve të Tezesë në Poloni


(16.12.2009 RV)Papa Benedikti XVI dhe krerët e Kishave të krishtera të Evropës kanë besim tek të rinjtë dhe presin prej tyre që të dëshmojnë shpresën në botë. Janë mesazhe inkurajimi, ato që Ati i Shenjtë, kryeipeshkvi i Kanterburit, Rouan Uiliams dhe Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Barteolomeu I u dërgojnë 30 mijë të rinjve nga e gjithë Evropa, që do të mblidhen në takimin e 32-të të Tezesë, në program nga data 29 dhjetor deri më 2 janar në Poznan të Polonisë.
“Përmes lutjes – lexohet në Mesazhin e Benediktit XVI – Ati i Shenjtë bashkohet me ju… Ai i kërkon Shpirtit Shenjt t’ju ndezë gjithnjë e më shumë dëshirën për Zotin dhe ta rrisë besimin tuaj në Të, që të shkoni me guxim drejt së ardhmes dhe sfidave të saj të shumta. Papa – shkruan Benedikti XVI në mesazhin e tij – ka besim tek ju për të shkuar e për të takuar burrat e gratë, që kanë humbur ndjesinë e Zotit, që e kërkojnë andej e këndej, nganjëherë pa e ditur as vetë. Ata kanë nevojë të takojnë dëshmitarë të vërtetë, që edhe për ta të shkëlqejë fytyra e Krishtit”. Papa uron që të rinjtë të kthehen në shtëpitë e tyre me shpresën e krishterë në zemër e t’ua përçojnë atë edhe të tjerëve.
Kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams u vë në dukje të rinjve se shoqëria e sotme përshkohet nga ide të rreme për pasurinë, për sigurinë e madje edhe për lirinë. “Thirrja jonë si të krishterë – shkruan – është t’i zbulojmë botës të vërtetën e fatit tonë njerëzor”. Por, paralajmëron ai, kjo kërkon bujari pa kufi, vendosmëri para rrezikut, flijim, nëse është e nevojshme, e sidomos gëzim në vazhdimin e kësaj rruge. “Ja e vërteta, ja humaniteti i Zbulesës, ja jeta”, përfundon kryeipeshkvi Uiliams.
Nga Patriku Bartolomeu I u shkon të rinjve ftesa për “të qenë dëshmitarë të gjallë të Krishtit që ka lindur, dëshmitarë të Krishtit që është ringjallur, të Zotit që ka hyrë në histori, të Zotit të Krijimit. Në ç’mënyrë i duhet çuar botës kjo dëshmi? E thotë vetë Krishti në Ungjillin e Shën Gjonit: ‘Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi’ (Gjn 13,35)”.
Kujtojmë se takimet evropiane të Bashkësisë së Tezesë kanë filluar në vitin 1978 dhe janë zhvilluar tri herë në Poloni, dy herë në Vroclav dhe një herë në Varshavë.








All the contents on this site are copyrighted ©.