2009-12-16 17:59:20

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: politika e mediat nuk duhet të jenë skllevër të relativizmit etik, por t’ia hapin zemrën së vërtetës dhe dashurisë së Zotit.


16.12.2009 RV)RealAudioMP3 Në epokën tonë shikojmë një shkëputje shqetësuese ndërmjet arsyes, që ka për detyrë të zbulojë vlerat etike të lidhura me dinjitetin e njeriut - e lirisë, që ka për detyrë t’i promovojë. Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, në praninë e nëntë mijë besimtarëve e shtegtarëve, Benedikti XVI foli përsëri për diktaturën e relativizmit, duke u bazuar mbi shkrimet e një teologu të lashtë të Mesjetës, Gjonit të Salisbëri-t. Papa ripohoi se zhvillimi i vërtetë i shoqërisë nuk është ‘prodhim’ i njeriut, por e ka rrënjën në planin e dashurisë së Zotit për krijesat e veta.

Nëntëqind vjet më parë, një mendimtar i rëndësishëm i Mesjetës, ipeshkvi i Shartrë, Gjoni i Salisbëri-t, që jetoi ndërmjet viteve 1100 e 1180, pohonte se ligjet njerëzore dhe veprimtaria politike duhet të përshtaten me ligjin natyror, që i njeh çdo njeriu të drejta të patjetërsueshme, të cilat nuk mund të shfuqizohen.
Megjithatë – vërejti Papa – një mijë vjet të kaluara me këtë vetëdije, nuk arritën ta sigurojnë gjithnjë shkallën e duhur të respektit për njeriun, gjë që e vërtetojnë praktikimi i abortit, pranimi i eutanazisë, eksperimentet gjenetike, sulmet kundër dinjitetit të familjes. Në se në Enciklikën “E vërteta, thënë me dashuri” Papa pohonte se veprimtaria shoqërore dhe politika nuk duhet të shkëputen kurrë nga e vërteta objektive mbi njeriun e mbi dinjitetin e tij, sipas Gjonit të Salisbëri-t - shpjegoi Benedikti XVI:
Ekziston (…) edhe një e vërtetë objektive, e pandryshueshme, me zanafillë tek Zoti, që mund të pranohet nga arsyeja njerëzore e që ka të bëjë me veprimtarinë praktike dhe shoqërore. Është fjala për të drejtën natyrore, nga e cila duhet të frymëzohen ligjet njerëzore dhe autoritetet politike e fetare, në se duan t’i shërbejnë së mirës së përbashkët”.
Një mendim tejet aktual ky, ndonëse, për fat të keq – vërejti Benedikti XVI – sot kanë mbetur gjurmë tejet të zbehta nga ajo drejtësi, që sipas ipeshkvit mesjetar, donte të thoshte t’ia njohësh çdo njeriu të drejtat e tij.
“Në kohën tonë, posaçërisht në disa vende, vërejmë një farë shkëputjeje shqetësuese ndërmjet arsyes, që ka për detyrë të zbulojë vlerat etike lidhur me dinjitetin e njeriut, e lirisë, që e ka për detyrë t’i pranojë e t’i promovojë”.
Po të ishte ende gjallë - tha Benedikti XVI – Gjoni i Salisbëri-t do të na kujtonte sot se në përkim me drejtësinë janë vetëm ato ligje, që mbrojnë shenjtërinë e jetës njerëzore, që i kundërvihen ligjërimit të abortit, të eutanazisë, eksperimenteve gjenetike, të cilat s’duan t’ia dinë se ka kufij të pakapërcyeshëm. E jo më pak, ato ligje, të cilat respektojnë dinjitetin e martesës së burrit me gruan, frymëzohen nga laiciteti konkret i shtetit–laicitet që kërkon gjithnjë mbrojtjen e lirisë fetare e vë në plan të parë parimin e ndihmës e të solidarietit, në nivel kombëtar e ndërkombëtar:
“Përndryshe, do të shkonim drejt asaj, që Gjoni i Salisbëri-t e quan ‘tirania e princit’, ndërsa ne, ‘diktatura e relativizmit’: një relativizmi që, siç e kam kujtuar pak vjet më parë, nuk pranon asgjë si përfundimtare e ka si masë kryesore vetëm vetveten, unin e dëshirat e tij”.
E hija e relativizmit etik, që i prodhon këto pasoja, shtrihet edhe mbi mjetet e komunikimit, mesazhet e të cilave – theksoi Papa – janë gjithnjë më larg nga ajo urti, për të cilën bota ka nevojë gjithnjë më urgjente:
 
Në përfundim Papa theksoi se burimi i fundmë, nga i cili duhet të frymëzohet çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, është Zoti. E Zoti është vërtetësi e dashuri:
“Ky parim është tejet i rëndësishëm për shoqërinë e për zhvillimin, sepse as njëra as tjetri nuk mund të jenë vetëm produkte të njeriut; edhe vetë dëshira e njerëzve dhe e popujve për zhvillim, nuk bazohet mbi vendime njerëzore, por është e shkruar në një plan, që na paraprin. Prandaj e kemi për detyrë të gjithë ta pranojmë me vullnet të lirë”.
Në çastin e përshëndetjeve përfundimtare, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht pjesëmarrësit në shtegtimin e organizuar nga shoqata ‘Vëllazëria”, shoqëruar nga kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen e nga ipeshkvi i Kremës, Oskar Kantoni. Ju inkurajoj – u tha Papa – t’i dëshmoni me impenjim gjithnjë më të madh, vlerat e mikpritjes e të solidaritetit, posaçërisht për fëmijët e për familjet, që kalojnë çaste të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.