2009-12-15 17:04:01

Sulme të reja në Irak kundër kishave.


(15.12.2009 RV)Nga Iraku vazhdojnë të arrijnë lajme të këqia për sulme kundër bashkësive të krishtera. Sot paradite një person u vra dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur në shpërthimin e tri bombave në Mosul, në veri të vendit. Në shënjestër të terroristëve ishte kisha siriako – katolike e Virgjërës Mari, ku shpërthyen dy prej bombave, ndërsa bomba e tretë shpërtheu në afërsi të kishës siriako – ortodokse të Pastërtisë dhe të shkollës së krishterë ngjitur me të. Po ashtu, edhe në qendër të Bagdadit pati tri atentate me tre të vdekur dhe 14 të plagosur.
Më hollësisht mbi gjendjen atje në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Dom Renato Sako, këshilltar kombëtar i Pax Christi, i porsakthyer nga Iraku:

Përgjigje: Mendoj se motivi i parë ka të bëjë me interesat në lojë që lidhen me zgjedhjet e ardhshme të 7 marsit. Duan t’i detyrojnë me forcë pakicat fetare të bashkohen me një krah politik. I dyti motiv është padyshim i lidhur me ndarjen e naftës. Këto ditë në Irak po zhvillohen tendera të mëdhenj e ndokush do t’i nxjerrë jashtë loje pakicat e mbase këtu ka të bëjë edhe motivi fetar, për ta spastruar etnikisht Mosulin, që pastaj të bëjë si i do qejfi. Mendoj se kjo është edhe nji ftesë për ne që të përgatitemi për Krishtlindje me shpresë të gjallë, pa i harruar ata që jetojnë në mes të kësaj dhune. Ata na thonë: “Mos na harroni sepse kemi përshtypjen se nganjëherë jemi vetëm.”







All the contents on this site are copyrighted ©.