2009-12-15 15:52:39

Motu proprio e Benediktit XVI mbi ndryshimin e disa neneve të Kodit të së Drejtës Kanonike për diakonatin dhe martesën.


(15.12.2009 RV)RealAudioMP3 U publikua sot Motu proprio e Benediktit XVI “Omnium in mentem” mbi ndryshimin e disa neneve të Kodit të së Drejtës Kanonike, që kanë të bëjnë me dy çështje: diakonatin dhe martesën. Ndryshimet vijnë pas vitesh studimi, që kanë filluar që gjatë papnisë së Papës Gjon Pali II.
Ndryshimi i parë ka të bëjë me dy nene të sakramentit të Shugurimit (1008 dhe 1009) dhe është bërë për të saktësuar më mirë ndarjen ndërmjet shugurimit ipeshkvnor, meshtarak dhe diakonatit. Në një notë, presidenti i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, imzot Françesko Kokopalmerio sqaron se mund të veprojnë me cilësinë e “personit të Krishtit Kryetar” vetëm ipeshkvijtë dhe meshtarët, ndërsa diakonët mund t’i shërbejnë popullit të Zotit në diakoninë e Liturgjisë, të Fjalës dhe të Bamirësisë. Gjithsesi, kjo është një çështje thjesht formale.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me tre nenet mbi martesën (1086, 1117 dhe 1124), të cilët flasin për besimtarët e ndarë nga Kisha “me akt formal”. Të përpiqemi ta sqarojmë këtë ndryshim, duke ia dhënë fjalën sekretarit të Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, mons. Huan Injacio Arrieta:
Ndryshimi ka të bëjë me heqjen e frazës për ndarjen nga Kisha “me akt formal”, e cila përjashtonte nga detyrimi për t’u martuar në Kishë, ata të pagëzuar katolikë që ishin larguar nga Kisha, duke hyrë për shembull në sekte. Mendohej se duhej futur ajo frazë, për të evituar që martesa e tyre, në rastet e pendimit e të kthimit në Kishë, të konsiderohej e pavlefshme formalisht. Më pas, u pa se kjo frazë nuk funksiononte, pasi i vështirësonte edhe më tej gjërat, në momentin kur këta persona dëshironin të ktheheshin në gjirin e Kishës Katolike. Në fakt, kishin një vështirësi më tepër, pasi Kisha e konsideronte të vlefshëm një bashkim jashtë Kishës, që në fakt ishte jetëshkurtër.
Cilat janë pra, pasojat praktike të këtij ndryshimi?
Këta persona, në këtë rast, janë në të njëjtën situatë si dy katolikë që, në vend të martesës në Kishë, kanë bërë atë në komunë: Kisha nuk e konsideron këtë martesë të vlefshme.
Pra, tani, për ata të pagëzuar që janë martuar me persona të besimeve të tjera, jashtë Kishës e rregullave të saj, është më e thjeshtë të kthehen në gjirin e Kishës…
Është më e lehtë të normalizojnë bashkimin e tyre martesor dhe është më e lehtë t’i presim ata në gjirin e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.