Përkujtimi liturgjik i Shën Gjonit të Kryqit. Na mëson ta lexojmë Biblën si letër
dashurie, shkruar nga Zoti për njeriun!
(14.12.2009 RV)Kisha kremtoi sot
kujtimin liturgjik të Shën Gjonit të Kryqit, bashkëpunëtor i Shën Terezës së Avilës
për themelimin e karmelitanëve të zbathur. Dijetar i Kishës, njihet si një nga mistikët
më të mëdhenj të saj. Vepra e tij mistike është tekst i domosdoshëm për ata që dëshirojnë
të hyjnë në botën e lidhjes së ngushtë të Hyjit me njeriun. Shën Gjoni i Kryqit
lindi në vitin 1542 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. E kaloi gjithë jetën në
kërkim të Zotit, duke zbuluar ditë pas dite se rruga më e sigurtë për t’iu afruar,
është ajo që të çon në njohjen e Jezu Krishtit. Mesazhi i tij, i përqendruar mbi orientimin
e plotë në drejtim të Zotit, përmblidhet në këtë thirrje, e cila na kujton natën e
shpirtit, që e provoi edhe Nëna Jonë Terezë: “Hë, guxim, çohu: mos u zhyt
në kënetën e mëshirës së përciptë! Mos e humb kohën në përpjekjen e ligshtë për t’u
dukur njeri i virtytshëm. Përballoje pa frikë natën e shpirtit, ngjitu në shtegun
e thepisur të asgjësë, në se dëshiron të provosh zjarrin e pashuar të dashurisë!”.
Shën Gjoni i Kryqit përdor një gjuhë poetike, tejet të pasur me figura
e simbole. Shkrimtar me frymëzim të ri humanist e rilindas, i jep një ndihmesë të
çmuar njeriut modern, të trazuar nga ankthi i jetës e i vdekjes, që dëshiron të ecë
në rrugën e krishterë. Atë Saverio Kanistrà, epror i përgjithshëm i karmelitanëve
të zbathur, na e shpjegon kështu këtë ndihmesë: “Shën Gjoni i Kryqit
e fton njeriun e të gjitha kohëve e të të gjitha vendeve ta zbulojë të mbramen pikarritje:
bashkimin e njeriut me Zotin, shkruar në vetë natyrën tonë. Gjoni i Kryqit ka një
dhanti të posaçme: dhantinë e artit. Para se të jetë teolog, është poet. Gjithë vepra
e tij tingëllon si lirikë e hollë, lirikë dashurie. Ai e lexon Biblën si një letër
të madhe, të gjatë, dashurie, që Zoti e shkruan për njeriun. E kësaj letre, Gjoni
i përgjigjet me letrën e tij, të shkruar për Zotin”.
Por
të rikthehemi tek jetëshkrimi i Shenjtit. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’
ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetri, për të fituar bukën e gojës, duke
e marrë kudo me vete edhe jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës,
Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën
e rëndë, që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte
gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi
të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë:
më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet
spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar. Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën
e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga eprori i përgjithshëm lejën për themelimin
e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues, që më pas u quajtën “të zbathur”. E u bë
bashkëpunëtor i zellshëm i saj.Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve
të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu
më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit
të Zotit të Mishëruar, në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më
pas u ngarkua gabimisht me një faj, që nuk e kishte bërë, e kaloi tetë muaj në burg.
E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij
lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet
kryeveprave më të njohura të lirikës.