2009-12-14 16:44:34

Në Kopenhagë mbërrijnë ministrat e ambientit. Protestë e vendeve në zhvillim


(14.12.2009 RV)RealAudioMP3 Pas dy javësh nga fillimi i mbledhjes për klimën në Kopenhagë të Danimarkës, sot qe dita e mbërritjes së ministrave të ambientit. Deri tani, për rezolutën përfundimtare kanë punuar teknikët, ndërsa që sot, fjala u kalon ministrave, të cilët duhet ta bëjnë gati propozimin para se të shkojnë në qytetin danez “të mëdhenjtë” e kësaj bote, apo krerët e shteteve e të qeverive. Ata duhet të nënshkruajnë marrëveshjen për të ndryshuar prirjen e ngrohjes së vazhdueshme të klimës, ndërmjet 17 e 18 dhjetorit.
Perspektiva nuk është e shkëlqyer. Sot paradite, shumë vende afrikane dhe ato në zhvillim, si Kina, braktisën tryezën e bisedimeve, duke akuzuar vendet e pasura se nuk respektojnë Protokollin e Kiotos. Në skenën e Qendrës Bela, ku po zhvillohen punimet, qenë sot protagonistë edhe parimet etike e zëri i fesë. U zhvillua një manifestim i Karitasit Ndërkombëtar dhe i Këshillit Ekumenik të Kishave, gjatë të cilit u bënë propozime për politika e strategji, që jo vetëm kanë për qëllim reduktimin e pasojave të ndryshimit të klimës, por dëshirojnë ta bëjnë këtë me drejtësi për të gjithë. Të dëgjojmë përgjegjësin e sektorit ndërkombëtar të Karitasit Italian, Paolo Beçegato:
Ajo që kërkohet, pavarësisht nga aspiratat politike, është aftësia për të qenë largpamës. Këtu duhen vendime politike, që nuk janë thjesht caktimi i buxhetit për marrjen e disa masave në prodhimin e energjisë, apo tjetër. Këto vendime duhet të kenë orientime të sakta edhe për konsumin e sjelljen personale të secilit prej nesh. Për shembull, kur u ndërrua i gjithë lëngu i ftohjes së frigoriferave, për të zvogëluar vrimën e ozonit, iu dhanë direktiva krejt industrisë. Ato u shndërruan në prodhimin, tregtinë dhe blerjen e tipave të ri të frigoriferave, që lejuan arritjen e rezultateve mjaft të mira në atë front.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.