2009-12-13 16:24:40

Shën Luçia, Pajtore e dritës së syve.


(13.12.2009 RV)Sot Kisha kremtoi festën e Shën Luçisë, virgjër e martire. Është figurë tejet e dashur e devocionit të krishterë, një nga shtatë Vashat, që i kujton Kanuni Romak.
E lindur në Sirakuzë, jetoi në fillimin e shekullit IV të epokës së krishterë, rreth viteve 304. Ende vajzë e re, shoqëroi nënën e sëmurë, që nisej drejt Katanies së Italisë, për të marrë pjesë në përkujtimin e martirizimit të Shën Ages. U gjunjëzuan së bashku mbi varrin e martires dhe u lutën për shërimin e të sëmurës. Luçia ra në një dremitje të thellë. Iu duke, si në ëndërr, Agia virgjër e i tha: "Luçí, motra ime, pse ma kërkon mua atë, që e ke fituar vetë? Ja, për hir të fesë sate, jot ëmë është shëruar. Ashtu si Krishti lumnoi nëpërmjet meje qytetin e Katanies, ashtu do të lumnojë nëpër ty qytetin e Sirakuzës, sepse me virgjërinë tënde i ke përgatitur një banesë të këndshme Zotit. Kur vajza u zgjua nga gjumi, mrekullia ishte kryer. E ajo vendosi t'ia kushtonte gjithë jetën Zotit!
E ia kushtoi deri në fund të fundit: Aktet e martirizmit të Luçisë na tregojnë se prefekti Pashazio, i cili nuk donte të bindej as para mrekullive të jashtëzakonshme, që bënte Zoti përmes saj, provoi mbi trupin e vajzës torturat më mizore. Pikërisht në katakombet e Sirakuzës, më të mëdhatë në botë, pas atyre të Romës, u gjet një mbishkrim skalitur mbi një pllakë mermeri të shekullit IV, që vërtetoi plotësisht martirizimin e saj. Është dëshmia më e vjetër e kultit të Shën Luçisë. Devocioni i Shenjtores u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme. Kisha e parë për nder të saj u ngrit në Ravenë, në vitin 384. Pak më pas, një tjetër, në Romë. Sot në mbarë botën gjinden relike të shenjtores e vepra arti, të frymëzuara prej saj.
Është shumë e nderuar edhe nga populli shqiptar, që i ka ngritur që kur një katedrale në qytetin bregdetar të Durrësit, i ka kushtuar një vepër jetës e mrekullive të saj e i quan me emrin Luçi a Dritë, shumë nga bijat e veta.
Emri Luçia vjen nga latinishtja e do të thotë e ndritshme, dritë. Ikonografia i vë në dorë një pjatë me dy sy, simbol i martirizmit që pësoi; zëmbakun– simbol i virgjërisë së pacënuar, palmën-simbol i salvimit e Biblën, simbol i shenjtërisë.U quajt Dritë, sepse e mbajti deri në pikën e fundit të gjakut llambën ndezur, për të shkuar, kështu, e rrethuar nga drita në takimin me dhëndrrin hyjnor – shkruhet për të në Mesharin Romak. Luçia, ndërmjetëse e njerëzve, që vuajnë nga sëmundjet e syve, është pajtore e okulistëve, elektriçistëve e sidomos, e njerëzve që kanë humbur dritën e syve.







All the contents on this site are copyrighted ©.