(13.12.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 3-të të Kohës
së Ardhjes. Përkujtoi edhe Shenjtorët Luçia, virgjër e martire e Sirakuzës dhe
Aristoni, martir.
Liturgjia e së hënës na kujton se premtimet e Zotit
vërtetohen përmes besnikërisë së tij e pushtetit të tij, që i bën ballë çdo kundërshtimi
njerëzor e mbinjerëzor. Është festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e dijetar i Kishës,
karmelitan i zbathur.
Shën Paola e Shën Valeriani, ipeshkëv i Afrikës e martir,
në festën e tyre liturgjike, të martën, na kujtojnë se Fjala e Zotit është
e ashpër, sepse shumë shpesh na kërkon të veprojmë në kundërshtim me dëshirat tona,
por është edhe tejet ngushëlluese: Zoti e pranon gjithnjë kthesën tonë.
Shën
Davidi, mbret e profet dhe Shën Adelaidja perandoreshë,që do të kremtohen
të mërkurën, me jetën dhe me fundin e tyre, na kujtojnë lumninë e njeriut,
i cili e jeton me e për Zotin, çdo çast të jetës së tij.
Të
enjten është festa liturgjike e Shenjtorëve Danieli profet, Anania, Azaria e Mizaeli;
Gjon Mata, meshtar, themelues i Trinitarëve e Gjaçinto Kormier meshtar domenikan.
Liturgjia, duke na rikujtuar gjenealogjinë e Krishtit, na tregon se me Jezusin gjithë
historia e njerëzimit arrin kulmin e vet. Në Të, Hyji me ne u bë Hyji për ne.
Malakia
profet e Gaciani, ipeshkëv i Turit, që do të festohen të premten, duke na mbushur
me shpresë në këtë Kohë pritjeje, na kujtojnë se “Në ditët e Krishtit do të lulëzojë
drejtësia e paqja”.
Zoti është i gjithëpranishëm në jetën e çdo njeriu. E ndjejmë
më shumë pranë, pikërisht atëhere kur e lëshojmë krejtësisht vetveten në dorë të Tij.
E për këtë lëshim plot shpresë na fton edhe liturgjia e së shtunës, në përkujtimin
e Urbanit V papë e Anastasit papë.
E diela e ardhshme është e 4-ta e Kohës
së Ardhjes, prelud i Krishtlindjes 2009, që do ta kremtojmë të premten, më 25 dhjetor!