2009-12-13 15:31:04

Selia e Shenjtë e realizmi i shpresës: editorial i Atë Federiko Lombardit.


(13.12.2009 RV)Kisha vijon dialogun me botën, në emër të Ungjillit e për të mirën e njerëzimit: është dialog që ngjall shpresa, në pritje të hapjes së portave të reja. Kjo atmosferë shprese, në prag të Krishtlindjes, është në qendër të vëmendjes në editorialin me titull “Realizëm në shpresë”, shkruar nga Atë Federiko Lombardi për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

RealAudioMP3 “Ndërmjet audiencave të panumërta, gjatë të cilave kohët e fundit Papa ka pritur kryetarë shtetesh e qeverish, si dhe përfaqësues diplomatikë nga të katër anët e botës, mund të kujtojmë tri, brenda pak ditësh.
Duke pritur ambasadorin e Kubës pranë Selisë së Shenjtë, Papa vërejti se, pavarësisht nga vështirësitë e dekadave të kaluara në marrëdhëniet me Selinë Apostolike e sidomos, nga kufizimet e veprimtarisë së Kishës, marrëdhëniet diplomatike nuk u ndërprenë kurrë e përmirësimet vlerësohen shumë.
Takimi i Papës me presidentin rus Medvedjev, ishte rast për njoftimin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Federatën Ruse, duke përfunduar kështu fazën njëzetvjeçare të afrimit, me lidhje zyrtare ende të paplota. Është një hap domethënës përpara; situata armiqësore gjatë regjimit komunist sovjetik, sot është vetëm një kujtim.
Së fundi, audienca me presidentin e Vietnamit, duhet konsideruar si urim për një etapë e re të rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Vendin aziatik, ku Kisha katolike, bashkësi e shumënumërt e plot gjallëri, feston sivjet një vit të rëndësishëm jubilar e, pavarësisht nga vështirësitë e dhjetvjeçarëve të kaluar, e shikon plot besim të ardhmen.
Selia e Shenjtë vijon, me durim e largpamësi, të endë dialogun me udhëheqësit e kombeve, duke menduar për të mirën e Kishës në vendet e tyre e për perspektivën e mirëkuptimit e të paqes ndërmjet gjithë popujve. Diplomacia e saj nuk udhëhiqet nga ligështia, as nga fryma e kompromisit. Bëhet fjalë, siç është thënë shumë mirë edhe në të kaluarën, për realizmin e shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.