2009-12-13 15:18:21

Njerëzimi ka nevojë për paqe e siguri: diplomacia vatikanase hap horizonte të reja.


(13.12.2009 RV)Dhjetor i ngarkuar me ngjarje vërtetë të rëndësishme diplomatike për Selinë e Shenjtë. Ngjarje reale, që nuk mund të mos ngjallin shpresa të reja për njerëzimin, në pritje ditëve më të mira, pas tensionit të krijuar nga kriza ekonomike e nga një mori ngjarjesh tragjike, që kërcënojnë lirinë e paqen në botë.
Të enjten e kaluar, duke pritur në audiencë ambasadorin e ri të Kubës pranë Selisë së Shenjtë, Eduardo Delgado Bermudez, për paraqitjen e letrave kredenciale, Papa vuri theksin mbi uljen e tensionit me SHBA, thellimin e lirisë fetare, krizën ekonomike botërore, acaruar më shumë në Kubë për shkak të embargos, përballimin e saj mbi një bazë të fortë etike, mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve.
Para 12 vjetësh Papa Gjon Pali II, në një situatë të ndryshme ndërkombëtare, uronte që “Kuba t’ia hapë portat botës e bota, Kubës”. Tani urimi pjesërisht është realizuar. “Kuba- siç u shpreh Benedikti XVI - ka arritur të luaj një rol vendimtar, në veçanti në kontekstin politik dhe ekonomik të Karaibeve dhe të Amerikës Latine. Por, në krahasim me vitin 1998 vlen të përmendet veçanërisht, krijimi i marrëdhënive të reja me fqinjin vigan, SHBA. Atmosferë shprese, pra, në një zonë tejet të rëndësishme të botës.
Nga skaji tjetër i botës, po aq i rëndësishëm, më 3 dhjetorin e kaluar arriti në Vatikan, për t’u takuar me Benediktin XVI, presidenti i Federatës Ruse, Dmitri Medvedjev.
Pak pas këtij takimi, një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit, njoftonte: “Selia e Shenjtë dhe Federata Ruse - duke dëshiruar të promovojnë mirëkuptimin e anasjelltë miqësor, vendosën, me mirëkuptim të përbashkët, të lidhin marrëdhënie diplomatike, në nivel nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë e ambasade, për Federatës Ruse.
Të premten e kaluar, audienca e Papës me Presidentin e Vietnamit, Nguen Minh Triet. Hera e parë që një president i Republikës Socialiste të Vietnamit, ku nuk ka munguar persekutimi i të krishterëve, takohej me Shenjtërinë e Tij dhe me autoritetet më të larta të Sekretarisë së Shetit të Vatikanit.
Selia e Shenjtë shprehu kënaqësinë për vizitën, etapë domethënëse e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, uroi të kapërcehet sa më shpejt çdo pengesë e mundshme në këtë drejtim dhe, përmes sekretarit të Shtetit, Tarçizio Bertone, përshpejtoi lajmin mbi vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjte dy shteteve, ndonëse mbetet ende shumë rrugë për t’u bërë. Pas këtij takimi, ndoshta, do të mund të realizohet, në vitin 2011, ëndrra e Benediktit XVI për të vizituar Vietnamin.
Dje, pastaj, audienca e Papës me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha, që u
u prit në Vatikan nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI; më pas Kryeministri i Shqipërisë bisedoi edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet – bën të ditur një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, u shkëmbyen mendime për tema të ndryshme të situatës ndërkombëtare, duke e përqendruar vëmendjen kryesisht në zonën e Ballkanit perëndimor.
Biseda, pastaj, u përqendrua në disa aspekte të marrëdhënieve dypalëshe dhe u shpreh kënaqësia për zhvillimet pozitive. U vu në dukje mirëkuptimi ndërmjet Shtetit e Kishës, duke pasur parasysh ndihmesën e çmuar shpirtërore e humanitare që jep Kisha katolike në të gjitha fushat e jetës shoqërore, posaçërisht në edukimin e njeriut me frymën e dashurisë së krishterë, të dialogut, të bashkëpunimit e të bashkëjetesës paqësore me të gjithë. E jo më pak, në kujdesin për shkollimin dhe shëndetin e tij. U kujtuan edhe vlerat tradicionale të familjes, pasuri e përbashkët e mbarë popullit shqiptar.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Benediktin XVI të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së Bijës më të madhe të trojeve shqiptare, Nënë Terezës.
Por për këtë audiencë, të dëgjojmë vetë kryeministrin Berisha. Sot, pjesa e parë e intervistës dhënë kryeredaktorit të Programmi shqip të Radio Vatikanit, dom David Gjugjës: RealAudioMP3
Vizita e zotit Berisha në Vatikan thekson interesimin e Selisë së Shenjtë për zonën e Ballkanit, interesim që përforcohet edhe nga audienca me një kryeministër tjetër ballkanik, atë të Malit të Zi, Milo Gjukanovic, i cili do të takohet nesër me Benediktin XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.