2009-12-12 15:34:02

NËNA TEREZE NOBELISTJA SHQIPTARE E PAQES (1979)


(12.12.2009 RV)“Viti Jubilar – 100 vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”është ngjarje madhore dhe e rëndësishme, jo vetëm për ne, për Kishën tonë dhe popullin Shqiptar, por edhe për tërë Mesëdheun e trazuar, për Evropën, e përse jo, edhe për mbarë botën.
Ky Jubileu fillon sot më 10 dhjetor 2009, me rastin e 30 vjetorit të marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare - Nënës Tereze, saktësisht në ditën e sotme, më 10 dhjetor 1979. Ishte atëherë një befasi dhe kënaqësi për të gjithë, sidomos për ne Shqiptarët.
Një befasi, sepse shumë njerëz pyteshin: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulurë, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urretje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim... Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka... Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre nejrëzve... Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve... Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë...”.
Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë.
Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet bamirëses së njerëzimit... mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij... Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë... Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë...”.
Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aereoportin e Osllos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë... Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një perosnalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze...Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).
Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.
Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave...
“Recepti” i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, gati i “gjithëpushtetshëm”: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.
Historia e jetës dhe e veprimtarisë së Nënës Tereze është shkruar me fe dhe është nënshkrau dhe vulosur me dashuri në veprim.
Vetëm kështu mund të kuptohet disi “lapsi i Zotit” i cili vazhdon të shkruajë ende në ndërgjegje dhe zemra të shumë njerëzve në çdo anë të botës.
Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Në Osllo teperatura ishte gjithnjë minus 35 shkallë, pra, një ftohtë tejet i madh për ne. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë /1918-1996/. Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në aereoportin e Osllos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.
Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”.
Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha :”Jo, por kemi ardhur për t’i parë bukuritë natyrore rë Norvegjisë”.
Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.
Gëzimi, malli, përjetimi ishte i paharrueshëm. Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shiqptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN...”
Gjatë Konferencës për shtyp me më se 1200 gazetarë të qendrave botërore të radio-televizioneve të ndryshme, unë për revistën tonë DRITA, si dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera e pyeta kështu: “A po na thoni, Nëna Tereze, shkurtimisht kush jeni Ju dhe lidhja e Juaj me popullin tonë shqiptar?”.
Ajo mu përgjigj së pari gojarisht, pastaj e shkrojti dhe e lexoi këtë porosi shqip dhe anglisht :
“UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLLO; 10/12/79.”.
Përjetim i rrallë dhe i paharruehëm ishte takimi i Nënës Tereze me mbretin e atëhershëm të Norvegjisë, Ollavin e V, para sa ta pranonte Shpërblim Nobel për Paqe.
Pas përshëndetjeve dhe urimeve, Nëna Tereze e pyeti Mbretin se a do të merrte pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Shpërblimit Nobel për Paqe.
Mbreti i tha:” Kisha për të ardhur me gëzim, por s’dëshiroj ta prishi këtë ditë të madhe për Ju. Nëse do të vijë, unë do të jam në qendër të vëmendjes. Prandaj më mirë mos të vijë, kështu që së paku një herë edhe Ju të jeni personaliteti kryesor”.
Nëna Tereze iu përgjigj Mbretit me një gatishmëri të pashoqe: “Jo, jo, o Mbret, gaboni. Nuk jam as unë as Ju në qendër të vëmendjes, por Zoti dhe të varfërit, prandaj mund të vini lirisht!”.
Mbreti Ollavi V mbeti pa gojë dhe vërtet mori pjesë në Shpërblim Nobel për Paqe, si duket për të parën herë.
Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel për Paqe?”
Nëna Tereze tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë... Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe...Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”
Në Nënën Tereze populli shqiptar e gjeti vetveten dhe të vërtetën, bashkimin shpirtëror dhe kulturor, motivin bazor për bamirësi, për strategjinë paqësore jodhunore tereziane, për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë, për ta mësuar dhe zbatuar artinë e jetës, Dashurinë.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes - Nëna jonë Tereze!
Prishtinë, 10 dhjetor 2009 Don Lush GJERGJI
 







All the contents on this site are copyrighted ©.