2009-12-11 15:01:19

Presidenti e ipeshkvi Kosovës: Nëna Terezë është ikonë e virtyteve dhe shkollë dashurie e shërbimi


(11.12.2009 RV)Fjala e presidentit të Republikës Së Kosovës Fatmir Sejdiu, në akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezë me Çmimin Nobel -
Të nderuar drejtues të institucioneve të vendit,
Të nderuar ministra dhe deputetë,
Të nderuar ambasadorë të akredituar në Prishtinë,
Të nderuar përfaqësuesit të institucioneve arsimore, shkencore e kulturore,
Të nderuar përfaqësues të klerit,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja e zotërinj,


Tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të çmimit “Nobel”, duke ia nënshkruar Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, i shkroi këto fjalë: “Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.


Këto fjalë, të shkruara me thjeshtësi e sinqeritet, tregojnë shpirtin e rrallë të Nënës Terezë. Fjalia e parë - Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar – dëshmon përkushtimin dhe dashurinë e saj për kombin të cilit i përkiste. Ndajfolja gjithmonë vetëm sa e përforcon këtë lidhje të pashkëputshme të saj me fatin e rëndë të kombit shqiptar në shekullin njëzet. Prandaj, ajo lut shumë Zotin që “Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në të gjitha familjet tona, në gjithë botën”.


E vetëdijshme për gjendjen e vështirë të mijëra familjeve shqiptare në atë kohë, Nëna Terezë lutet që Paqja e Hyjit të zbresë në të gjitha familjet tona, në të gjitha familjet tona shqiptare, të cilave asokohe iu mohohej edhe e drejta e lutjes. Por, Nëna Terezë nuk e ngushton rrethin e njerëzve për të cilët lutet. Ajo ishte shqiptare e lindur në Shkup, me prindër nga Kosova, të cilët e kishin edukuar në frymën e vërtetë të shpirtit shqiptar, në frymën e dhembshurisë, të humanizmit dhe të dashurisë për njeriun. Ndaj, lutja e saj njeh shkallëzimin ngjitës dhe zgjerohet në tërë botën, bëhet universale, ashtu siç ishte zemra e saj.


Nëna Terezë, misionare e paqes dhe e dashurisë, lut Zotin që t’u japë paqen e Tij të gjitha familjeve të botës. Për t’u kthyer në fjalitë vijuese, në thelbin e përkushtimit të saj jetësor e shpirtëror, në përkushtimin, dhembjen dhe lutjen për të varfrit, për fukaratë e saj.


Nëna Terezë e mahniti botën me luftën e saj unikate. Ajo nuk kishte asnjë armë, asnjë forcë, asnjë metodë detyrimi ndaj të tjerëve. Ajo kishte vetëm lutjen dhe sakrificën e pandalur për të tjerët, për të braktisurit, për të sëmurët, për të pashpresët. Ajo ishte vetë shpresa e tyre në këtë jetë, ishte dielli që ua sillte agun e ditës së re, ishte hëna që ua hiqte terrin që kishte pllakosur jetët skamnore.


Nëna Terezë, bijë e urtë e popullit shqiptar, është personalitet i rrallë edhe i Kishës Katolike Shqiptare. Ajo e vazhdoi në mënyrë shembullore udhën e madhe të Papa Klementit, Pjetër Budit, Atë Shtjefën Gjeçovit dhe shumë e shumë misionarëve të tjerë, që dhanë aq shumë për fe e për atdhe, duke u nisur nga besimi i thellë se vetëm duke u shërbyer të tjerëve mund ta fitosh paqen dhe parajsën e Zotit dhe njëkohësisht të jesh i dobishëm për veten dhe për popullin tënd.


Nëna Terezë, pa dyshim, është bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. Ajo është shqiptare, po, gjithashtu, është edhe indiane, italiane, amerikane, angleze… Të gjithë duan ta identifikojë si të tyren, të gjithë duan të shëmbëllejnë me të. Dhe kanë të drejtë, sepse ajo nuk ishte vetëm jona, vetëm e ne shqiptarëve, por ishte e botës mbarë, e gjithë njerëzimit.
Që në moshë të njomë ajo ndoqi udhën e saj jetësore dhe mori udhën e largët drejt Kalkutës. Me vetëdije të plotë dhe me qëllimin e lartë për t’ua zgjatur dorën e ndihmës atyre që kishin mbetur të harruar në lymin e vrazhdësisë së jetës dhe mizorisë së mjerimit social, ajo braktisi familjen e dashur, la vendlindjen dhe iu përkushtua me tërë shpirtin shërbimit për të varfrit. Ndaj, mund të themi lirisht se Nëna Terezë është mishërim i të gjitha virtyteve më të mira të njeriut shqiptar, por edhe të njeriut të botës. Ajo është shembull i papërsëritshëm i flijimit të përditshëm për njerëzit e lënë, është shembull i besimit në Zotin dhe në Njeriun.


Të nderuar pjesëmarrës,
Rrallëkush në botën moderne mund të krahasohet me Nënën Terezë sa i përket namit dhe dashurisë që ajo gëzonte anekënd globit. Mirënjohjet dhe epitetet që fitoi ajo për të gjallë nuk mund të numëron.


Vërtet, Nëna Terezë e fitoi çmimin Nobel për Paqe më 1979, por më parë ajo kishte fituar një çmim shumë më të madh, kishte fituar dashurinë dhe qindra-miliona njerëzve nga e gjithë botës, kishte fituar nderimin e përhershëm të njerëzve pa dallim kombi e besimi. Prandaj, themi se ajo është njësoj e të gjithëve, e krishterëve dhe e myslimanëve, e të pasurve dhe e të varfërve. Ajo është shembulli më i shkëlqyeshëm i pastërtisë njerëzore dhe i dashurisë për njeriun pavarësisht statusit të tij shoqëror.


Nëna Terezë u nderua me çmimet më të mëdha që jep sot bota. Përveç Nobelit, ajo mori edhe shumë mirënjohje të tjera shumë prestigjioze si: Çmimi “Pamada Shir” (1962), mirënjohja më e madhe kombëtare indiane, Çmimi “Papa Gjoni XXIII për Paqe” (1971), mirënjohja e parë e madhe nga Kisha Katolike, e cila iu dha nga vetë Papa Pali VI, Çmimi “Gjon Kenedi” (1971), Çmimi “Nehru”, Çmimi “Nëna e të gjitha nënave” (1973), Çmimi “Medalja e Lirisë” (1985), i cili iu dha nga vetë Presidenti amerikan Ronald Regan.


Më 28 tetor 1996, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e shpalli Nënën Terezë “Qytetare e Nderit e Republikës së Kosovës”, ndërsa në të njëjtin vit, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, dr. Sali Berisha e nderoi Nën Terezë më “Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar”.


“Nëna Terezë ka tejkaluar personalisht humnerën që ekziston mes të varfërve dhe të pasurve. Vizioni i saj i dinjitetit njerëzor ka ngritur një urë”, arsyetonte tri dekada më parë dr. Gjon Sanes vendimin e Komitetit Nobel për Paqe, derisa po ia dorëzonte mirënjohjen Nënës Terezë në Universitetin e Oslos.


Vlerësime të këtilla, të cilat shprehin konsideratat më të larta për figurën e Nënës Terezë kanë dhënë personalitet më të shquara të kohës sonë, si Papa Gjon Pali II, Presidenti amerikan Bill Klinton, Kryeministri britanik Toni Bler, Presidenti Italian Sandro Pertini, Presidenti frances Zhak Shirak etj.


Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie solemne,


Duke i pasur parasysh të gjitha virtytet dhe cilësitë e rralla njerëzore e kombëtare të Nënës Terezë, duke pasur parasysh veprën e saj të madhe jetësore, si dhe duke u mbështetur në përgjegjësitë dhe kompetencat që kam si President i vendit, pas konsultave edhe me Ministrinë e Kulturës, me përfaqësuesit e klerit dhe me përfaqësues të shquar të komunitetit tonë kulturor, kam marrë vendim që të shpall vitin 2010, vitin që shënon njëqindvjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, “Vit të Nënës Terezë”. Me këtë, njëkohësisht, deklaroj se jap Patronazhin tim për të gjitha veprimtaritë që Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore do të organizojnë për ta nderuar e për ta lartësuar emrin e ndritur të Nënës Terezë.


Sivjet, simbolika e ditës së sotme, 10 Dhjetorit – Ditës së të Drejtave të Njeriut, për ne bashkëkombësit e Nënës Terezë ka domethënie të shumëfishtë, sepse përkon pikërisht me ditën kur bija jonë, Nëna Terezë, kjo luftëtare e madhe për të drejtat e njeriut dhe për dinjitetin njerëzor përgjithësisht, u nderua me mirënjohjen më të madhe për paqe, me çmimin “Nobel”.


Uroj që ky vit të përshkohet me veprimtari të mirëfillta shkencore e kulturore, në mënyrë që sadopak, si institucione të Republikës së pavarur të Kosovës, t’i dalim borxhit kësaj bije të madhe të popullit shqiptar, kësaj nëne madhështore të gjithë njerëzimit.
Bota na njeh më mirë nëpërmjet Nënës Terezë. Ne na mbetet të mësojmë prej saj si ta duam më shumë botën, botën e sotme të diversiteteve dhe të kundërthënieve të përhershme.


Nëna Terezë botërisht u shpall “Personalitet i Shekullit XX”. Shpallja e vitit 2010 “Vit i Nënës Terezë” është një mirënjohje jona e vogël për këtë bijë të madhe të botës shqiptare dhe të gjithë njerëzimit.


Ju faleminderit!
**********
Fjala përshëndetëse e ipeshkvi të Kosovës imzot Dodë Gjergjit në Akademinë solemne mbajtur në Prishtinë dje më 10 dhjetor 2009 me rastin e 30 vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë
Teatri Kombëtar, me 10.12.2009 I nderuar Zoti President Dr. Fatmir Sejdiu,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik dhe të institucioneve shtetërore, politike,
Të dashur vëllezër e motra,
Të nderuar miq,
Të nderuar të pranishëm,


ndihem i privilegjuar që sot mund t’Ju drejtohem nga kjo foltore, me rastin e 30 vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe Nënë Terezës. Tridhjetë vite më parë, ne të gjithë shqiptarët, ishim nën prangat e diktaturës dhe jetonim në terrin e ideologjisë që na i impononte koha. Atëherë, pra, kur kjo Motër e Jona, me veprën e dashurisë kishte arrit të bëhej Nënë e botës së varfër, kur kishte arrit të merrte merita dhe dekorata të shumta, falënderime dhe mirënjohje nga institucionet dhe shtete të ndryshme të botës, siç ishte edhe Çmimi Nobel për Paqe, ne as që e dinim se: Si në këto kohë të errëta diku në horizont ishte një Yll drite që shkëlqente dhe denjësisht na përfaqësonte të gjithë neve kudo në botë.
Pas rënies së diktaturave, në Shqipëri dhe Kosovë, janë bërë përpjekje të mëdha për të nderuar dhe promovuar figurën Nënë Terezës, siç është edhe Akademia e sotme kremtore. Ky është një moment shumë i mirë për të promovuar edhe nismat e marra nga Këshilli Organizativ për Vitin Jubilar – 100 vjetorin të lindjes së Gonxhes së Bojaxhinjëve, Nënës tonë Terezë.
Ditën e kalimit të saj në amshim, që është dita e Festës së Nënë Terezës, me 05 shator të këtij viti, në Katedralen “ Zoja e Këshillit të Mirë” në Prizren, e kam shpallë vitin 2010 “Vit jubilar të Nënë Terezës” për Kishën tonë në Kosovë. Sot u lexua dekreti Presidencial që vitin 2010 e shpallë Vitin e Nënë Terezës.
Prandaj ndjej të nevojshme të shpreh konsideratat më të thella të Kishës Katolike dhe e falënderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Tij shumë të nderuar Zotëri Fatmir Sejdiun, që sot me rastin e këtij solemniteti e konfirmoi edhe njëherë se Nënë Tereza, edhe pse një Murgeshë Katolike, nuk është një pasuri e rezervuar vetëm për ne, por ajo është figurë e ndritur e kombit, prandaj Ju takon të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë ta bëjnë dashurinë e shprehur dhe të shërbyer në dobi të tjetrit, shembull jete.
Populli ynë dhe Kisha Jonë, në të kaluarën e largët dhe në atë të afërm që mbajmë mend, ka nxjerrë figura të shumta që kanë dhënë kontribut të çmuar: për shkrim e lexim, për dije dhe kulturë, për fe dhe Atdhe, për liri dhe shtet! Por, ndër të gjitha këto janë dy figura të pa kontestueshme dhe fuqiplote që meritojnë të nderohen nga të gjithë,
    Gjergj Kastrioti i quajtur Skenderbe vigani i qytetërimit tonë dhe frymëzuesi i përhershëm për liri dhe
    Gonxhe Bojaxhiu, që e gjithë bota e quan Nënë Terezë, simboli i dashurisë dhe i paqes për të gjithë.

Shteti i ri që kemi ndërtuar, Kosova jonë e lirë dhe e pavarur dhe ne qytetarët e sajë kemi mundësi të mësojmë shumë nga filozofia e jetës së Terezës të cilën mund të përmbledhim kështu: S’ka rëndësi se sa jep, por sa dashuri vënë në atë që jep, nuk ka rëndësi se kush je, a beson apo nuk beson, por a ke nevojë për mua. S’ka rëndësi a je i pasur apo i varfër është e rëndësishme a je i lumtur. S’ka rëndësi a je punëtorë i thjeshtë apo je i veshur me pushtet është e rëndësishme a dinë respektosh dhe të vlerësosh të mirën. S’ka rëndësi se çfarë gjuhe flet por ka rëndësi a fletë çartë të vërtetën dhe a arrin të kuptosh atë. S’ka rëndësi kujt i bën mirë, e rëndësishme është a ka nevojë dhe a është më i nevojshmi ndër nevojtarë. S’ka rëndësi a të përbuzin apo të urrejnë të nderojnë apo të lavdërojnë; e rëndësishme është që ti t’i duash.
Miq të dashur, gjatë këtij “Viti të Nënë Terezës”, ju ftoj të gjithëve që të mbështesim njëri-tjetrin për të marrë “nga kjo filozofi jete” dhe mënyrë veprimi në ushtrimin e kujdesit për të afërmit tanë, në mënyrë që të gjithë të kuptojmë se: ja vlen t’i përgjigjemi nevojës me sakrificë, së keqes me të mirën e urrejtjes me dashuri. Kjo formë jete ndryshon sendet, ndryshon zemrat dhe ndryshon shoqërinë. Por për tu arritur e gjithë kjo, ti nuk duhet pritur që të ndryshoj unë e as unë nuk duhet pritur që të ndryshosh ti, ne duhet njëkohësisht të ndryshojmë te dy.
Zoti President, edhe njëherë dëshiroj t’iu falënderoj për dekretin Tuaj me të cilin e shpallni Vitin 2010 vitin e Nënë Terezës. Dekreti Juaj i jep dimension më mbarë-shtrirës kësaj iniciative dhe iu mundëson të gjithë institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës tonë, pa marre parasysh dallimet që i kemi, të reflektojnë mbi veprën dhe figurën e shkëlqyeshme të dashurisë dhe të paqes, që është Nënë Tereza.
Nënë Tereza ishte, dhe mbetet, simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor.
Në fund, Zoti President, më lejoni të Ju dhuroj një Kartolinë që Nënë Tereza iu dërgon nga Oslo e Norvegjisë, me nënshkrimin e Saj pikërisht në ditën e sotme para 30 vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.