2009-12-11 18:27:24

Papa me ipeshkvijtë irlandezë: dhimbje e turp për shpërdorimet mbi të miturit nga ana e klerit; solidaritet për viktimat dhe familjet e tyre.


(11.12.2009 RV)Benedikti XVI, thellësisht i tronditur e i hidhëruar, dëgjoi sot nga një delegacion ipeshkvijsh irlandezë, të cilët i priti në audiencë në Vatikan, përfundimet e një komisioni vendas, ngritur për të bërë hetime lidhur me rastet e shpërdorimeve mbi të miturit nga ana e anëtarëve të klerit të kryedioqezës së Dublinit.
Papa – thekson një komunikatë zyrtare e Sallës vatikanase të Shtypit – pasi ndoqi me kujdes materialin e paraqitur, shprehu edhe një herë dhimbjen e tij të thellë për veprimet e disa anëtarëve të klerit të cilët – siç lexohet në notë – tradhtuan premtimet solemne që i bënë Zotit si dhe besimin e viktimave e të familjeve të tyre. E jo më pak, edhe besimin e gjithë shoqërisë.
Ati i Shenjtë – vijon nota – e ndjen thellësisht fyerjen, tradhtinë e turpin, që provuan shumë besimtarë në Irlandë, prandaj lutet me ta, në këtë çast kaq të vështirë për jetën e Kishës. Papa i fton të gjithë katolikët e Irlandës e të mbarë botës të bashkohen me të në lutje për viktimat, për familjet e tyre e për të gjithë ata, që u tronditën thellë nga këto krime të shëmtuara.
Veç kësaj – nënvizon komunikata – Benedikti XVI i siguron të gjithë të interesuarit se Kisha do të vijojë ta ndjekë këtë çështje, tejet të rëndë, me vëmendjen më të madhe, për ta kuptuar më thellë si u arrit në këto ngjarje të turpshme e për të shmangur çdo rrezik përsëritjeje, duke pasur mirë parasysh edhe përgjegjësinë e barinjve të Kishës vendase.Në përfundim të notës pohohet se Benedikti XVI do t’u drejtojë besimtarëve irlandezë një Letër baritore, në të cilën do t’u flasë qartë për nismat që duhen ndërmarrë lidhur me përballimin e situatës së rëndë, që është krijuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.