Kosova miraton programin kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Lume Nënë Terezë
(11.12.2009 RV)Në mbështetje të vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu, me të cilin viti 2010 shpallet "Vit i Nënë Terezës", Ministria
e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes Këshillit Organizativ për shënimin e 100 vjetorit
të lindjes së Nënë Terezës - Gonxhe Bojaxhiu, ka hartuar një program të ngjeshur të
ngjarjeve kulturore-shkencore dhe të veprimtarive tjera, përmes të cilave do të nderohet
dhe përkujtohet figura madhore e humanistes shqiptare me nam botëror. Fillimisht,
në kuadër të këtij programi, organizohet koncerti i Filharmonisë - Operës së Kosovës
kushtuar 30-vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel nga Nënë Tereza, i cili do të mbahet
më 12 dhjetor në Katedralen e Prizrenit. Ndërkaq, gjatë vitit 2010, ky përvjetor
i rëndësishëm do të shënohet përmes ndërtimit të Shtëpisë Përkujtimore 'Nënë Tereza
- Gonxhe Bojaxhiu' në Prizren, ndarjes së Medaljes Humanitare Nëna Terezë nga Presidenti
i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, disa konferencave, simpoziumeve dhe sesioneve
shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, ekspozitave me karakter artistik
dhe dokumentaresk, konkursit në fushën e arteve pamore, orëve letrare, koncerteve,
javës së filmit dokumentar, botimit, ribotimit dhe promovimit të librave kushtuar
jetës dhe veprës madhore të Nënë Terezës, përurimit të Katedrales së re, meshës dhe
ngjarjeve tjera me karakter fetar, si dhe disa ngjarjeve e aktiviteteve tjera me karakter
festiv - ceremonial. Të gjitha ngjarjet me karakter shkencor - kulturor do të
mbahen nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu,
ndërkaq organizimi i tyre do të bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
dhe nga institucionet e larta shkencore dhe kulturore, të tilla si: Akademia e Shkencave
dhe Arteve e Kosovës, Instituti i Historisë, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare
e Kosovës, Filharmonia - Opera e Kosovës, Galeria e Arteve e Kosovës, Teatri Kombëtar
i Kosovës, Instituti Albanologjik, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe
Kulturën Shqiptare, shtëpitë e ndryshme botuese, si dhe nga Ipeshkvia e Kosovës. Kalendari
i ngjarjeve dhe veprimtarive kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës - Gonxhe
Bojaxhiut do të publikohet në fillim të janarit të vitit 2010.