2009-12-11 18:27:36

Benedikti XVI në takimin e Kii: çdo i krishterë ta bëjë Zotin të pranishëm në botë


(11.12.2009 RV)“Lidhja me Zotin është themelore për ecjen e njerëzimit përpara” - këtë theksoi Benedikti XVI në një mesazh, drejtuar kardinalit Anxhelo Banjasko, me rastin e takimit me temë ‘Zoti sot: me të ose pa të gjithçka ndryshon”, për mirë ose për keq. Takimi, që përfundoi sot, u hap dje pasdite në Auditoriumin e Rrugës së Pajtimit, në Romë, organizuar nga Projekti i Konferencës ipeshkvnore italiane (Kii) për kulturën. Morën pjesë rreth 1500 vetë, ndërmjet të cilëve, një numër i madh intelektualësh të nivelit ndërkombëtar. Në përshëndetjen e hapjes, kardinali Banjasko nënvizoi se takimi ishte fryt i kërkesës tipikisht njerëzore e thellësisht të krishterë të kërkimit të së vërtetës,
Ndërsa Papa, në mesazh, nënvizon me forcë: “Njerëz të kohës sonë, mos harroni kurrë se Zoti vijon të na trokasë në portë! Me të njeriut i hapen horizontet e shpresës, i krijohet themeli, ku mund të mbështetet pa frikë për jetën dhe besimi se mund të lëshohet plotësisht në duart e Tij, duar të Dashurisë, mbi të cilën mbështet vetë bota”.
Bota ndryshon, por të ndryshosh me Zotin, nuk është njëlloj, si të ndryshosh pa Të. Me të, shkon drejt së mirës, pa Të, drejt horizonteve të trazuara të së panjohurës.Prej këndej thirrja e Atit të Shenjtë: “Çdo i krishterë ta bëjë Zotin të pranishëm në botë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.