2009-12-10 13:01:28

Çelësi i fjalëve të Kishës: Pagëzimi i fëmijëve


(10.12.2009 RV)Të dashur dëgjues, sot do të shpjegojmë se ç’thuhet në Bibël për Pagëzimin e fëmijëve dhe se pse kjo praktikë ndiqet nga krishterimi para se fëmijët të jetë të ndërgjegjshëm për hirin hyjnor që po marrin.

Së pari, një premisë. Nuk mund ta ndajmë Biblën nga Tradita e krishterë: kjo e fundit e ndriçon Shkrimin Shenjt duke zbuluar misterin e “së vërtetës”, pra të mishërimit të Hyjit për të shpëtuar botën. Kështu, në rastin e Pagëzimit të fëmijëve është tradita e shekujve të parë të krishterimit që fut këtë praktikë, e cila më pas ngrihet në qiell nga Shën Agustini në lidhje me doktrinën e mëkatit të rrjedhshëm.
Por, ku shihet në Besëlidhjen e Re fara e kësaj praktike? Përgjigjia është e ndryshme, duke pasur gjithnjë parasysh urdhërin e të Ringjallurit, i cili u thotë apostujve “bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mateu 28,19). Pagëzimi është impenjim tejet i rëndësishëm për Kishën dhe ka destinacion universal.
Përsa u përket fëmijëve mund të përmendim tri elemente. I pari është jo i drejtpërdrejtë: nëse Pagëzimi – siç mëson shën Pali – merr vendin e rrethprerjes, është e lehtë të kuptohet se zbatimi i tij duhet të ketë qenë po aq i ngjashëm dhe radikal. Dihet se rrethprerja bëhej ditën e tetë pas lindjes dhe konsiderohej si hyrje në bashkësinë e popullit të Besëlidhjes.
Një element i dytë vjen nga dialogu i Jezusit me Nikodemin (Gjoni 3,1-8), ku vihen në paralel lindja dhe Pagëzimi. Ky i fundit përmendet përmes “ujit e Shpirtit”. Kritika e Nikodemit që thotë: “Si mund të lindë një njeri kur është i plakur?” na bën të kuptojmë se Pagëzimi përjetohej si një lindje e re, apo rilindje krahas asaj fizike. Që Pagëzimi e kishte këtë aspekt del edhe nga pohimi i shën Palit, sipas të cilit i krishteri mund ta thërrasë Zotit “abba”, pra “babi” në gjuhën e fëmijëve. Por, ekziston një element i tretë, që studiuesit e konsiderojnë më të qartë: praktika e pagëzimit të fëmijëve bëhet e zakonshme më vonë e që në Letrën e parë drejtuar Korintianëve flitet për të.
Në Ungjillin sipas shën Markut, në kapitullin 10 (13-16) përshkruhet skena e fëmijëve që vrapojnë drejt Jezusit, i cili vendos duart mbi ta dhe i bekon. Në tekst thuhet se dishepujt e kundërshtojnë një akt të tillë. Fjala greke që përdoret për këtë kundërshtim është Kolùein, e cila përdoret në Besëlidhjen e Re në kontekstin e pagëzimit për të treguar se nuk ka asnjë pengesë për Pagëzimin. Pra, kjo pjesë e Ungjillit të Shën Markut pasqyron përgjigjen që jepte Kisha e zanafillës për të gjithë ata që paraqisnin “pengesa” për Pagëzimin e fëmijëve, i cili praktikohej që atëherë, megjithëse jo për të gjithë. Kjo praktikë do të bëhet e përgjithshme më vonë, me bindjen se dhurata e Hirit hyjnor vjen para pranimit të fesë nga fëmija.







All the contents on this site are copyrighted ©.