Sot me 10 dhjetor kalendari Kishtar përkujton të Lumen Mari Virgjër të Loretos
(10.12.2009 RV)Sot me 10 dhjetor kalendari Kishtar përkujton të Lumen Mari
Virgjër të Loretos, që lidhet ngushtë me Shtëpinë e Shenjtë të Nazaretit.Pra, sipas
traditës në Loreto sot kremtohet solemniteti i “Ardhjes”, në përkujtim të arritjes
së Shtëpisë së Shenjtë të Nazaretit, më 10 dhjetor 1294 pas një shtegtimi të gjatë
nëpër deti nga Palestina e deri në Loreto. Është fjala për një traditë që mbështet
nga shumë prova, dokumentare e arkeologjike. Çdo vit e përkujtojmë arritjen e gurëve
të kësaj shtëpie, që ngjallin në shpirtin e mijëra shtegtarëve, të cilët mblidhen
në Loreto e në shenjtërore tjera, mallin për një shtëpi të vërtetë, për një familje
të vërtetë e të ngrohtë, plot dashuri, për familje e shtëpi në të cilën banon vetë
Zoti, i cili ndriçon familjen dhe i jep kuptim jetës së saj. Besoj se të gjithë
shtegtarët, që sot gjunjëzohen në lutje drejtuar Zotit përmes Zojës së Bekuar të Loretos,
por edhe të gjithë besimtarët, duke kremtuar këtë festë, ndjejnë nevojën t’i luten
kështu Zotin: “Dëshiroj që edhe shtëpia e familja ime t’i përngjasin shtëpisë e familjes
së Marisë Virgjër, që edhe në gjirin e familjes sime të hyjë një rreze e dritës Hyjnore,
të asaj Drite që ndriçoi Familjen Shenjte të Nazaretit. Shtëpia e Nazaretit që gjendet
në Shenjtëroren e Loretos në Itali, edhe sot e kësaj dite na flet për bukurinë e Lajmit
të Mirë, Ungjillit, për pohimin e Zojës së Bekuar, që i hapi Jezu Krishtit rrugët
e historisë së njerëzimit e që na mëson edhe ne të themi “po” sa herë që Zoti na fton
të ecim në shtigjet e tij të pashqyrtueshme.