Presidenti amerikan Obama mori Çmimin Nobel për Paqe
(10.12.2009 RV)Presidenti amerikan, Barak Obama, pranoi sot në Osllo Çmimin
Nobel për Paqe. Çmimi ndahet nga Komiteti Norvegjez i Nobelit. Më herët Obama ka theksuar
se “Padyshim ka pasur të tjerë që ndoshta e kanë merituar më shumë” çmimin Nobel për
Paqe. ”Detyra ime është të vazhdojë në rrugën, që mendoj se është e rëndësishme jo
vetëm për Amerikën, por është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në botë”, tha Obama.
Ai premtoi thellimin e politikës së angazhimit dhe përfshirjes në politikën e jashtme,
përfshi përpjekjet për arritjen e paqes dhe sigurisë përfundimtare në botë, stabilizimin
e Afganistanit, adresimin e problemeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe zhbërjen
e armëve bërthamore. Dhënia e çmimeve në mënyrë festive organizohet në ditën e
vdekjes së themeluesit të këtij çmimi Alfred Nobel, i cili vdiq më 10 dhjetor 1896.
Pas Teodor Ruzevelt dhe Udrou Uilson, Obama është i treti president amerikan, që nominohet
gjatë postit të tij me këtë çmim. Çmimin Nobel për letërsinë në Stokholm e merr për
këtë vit shkrimtarja gjermane me prejardhje nga Rumania, Herta Müller. Në kryeqytetin
suedez do të dorëzohen edhe çmimet Nobel për mjekësi, fizikë, kimi dhe ekonomi. Çmimi
shoqërohet edhe me një shumë prej dhjetë milionë kronash (rreth një milion euro).