2009-12-10 17:40:55

Pavarësia e Kosovës në Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Pro Holanda dhe Britania, kundër Rumania


(10.12.2009 RV)Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, sot me 10 dhjetor, ka vazhduar seancat dëgjimore lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës me paraqitjet e Holandës, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe.
E para ka folur përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand, e cila tha se vendi i saj konsideron shpalljen e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ajo ka apostrofuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, pasi që më parë ishin përshkuar e provuar të gjitha mundësitë tjera për zgjidhje të çështjes. Lajzand tha se e drejta e Kosovës për vetëvendosje del edhe nga shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, që janë dëshmuar në OKB dhe Gjykatën e Hagës. Në këtë kontekst, ajo ka folur për 700 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova përmes vrasjeve, dhunimeve dhe shkatërrimeve.
Lizbet Lajzand, në vazhdim, ka thënë se në ish Jugosllavi, Kosova ishte autonome, por kjo pozitë kushtetuese u asgjësua dhe shqiptarët mbetën të pa përfaqësuar në nivelin federativ dhe, rrjedhimisht, krijuan institucionet paralele si themel i vetadministrimit. "Nuk ka vend për drojë nëse pavarësia e Kosovës paraqet precedent, sepse shpallja e saj ka qenë mjeti i fundit dhe paraqet faktor stabiliteti në Ballkan", përfundoi përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand.
Oratori tjetër ka qenë përfaqësuesi i Rumanisë, Bogdan Areshku, që ka mbrojtur pozicionin e Serbisë dhe ka pohuar se nuk pajtohet me qëndrimet e atyre që thonë se GJND ja nuk duhet të deklarohet rreth çështjes së Kosovës. Rumania nuk pajtohet as me qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndikim në të drejtën ndërkombëtare. "Krijimi i një shteti është çështje e GJND së. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt, por edhe me krijimin e një subjekti të ri të së drejtës ndërkombëtare", ka thënë Areshku, për të shtuar se nuk është i saktë as pohimi se e drejta ndërkombëtare nuk e rregullon (sanksionon) çështjen e shkëputjes.
Britania e Madhe, që ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, është përfaqësuar nga Deniel Betlhem dhe Xhejms Kraford. Betlhem, në hapje të ekspozesë së tij, ka bërë të ditur se do të polemizonte me të gjithë ata që në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kontestuan ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ai ka shtruar pyetjen nëse Rezoluta 1244 ndalon shpalljen e pavarësisë dhe menjëherë është përgjigjur se kjo nuk qëndron, sepse "Rezoluta 1244 nuk prejudikon statusin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, as nuk e ndalon pavarësinë". Ai ka apsotrofuar Rusinë, Spanjën, Rumaninë, Argjentinën, Brazilin dhe vendet tjera që janë thirrur në Rezolutën 1244 dhe ka thënë se të gjithë ata i kanë bërë interpretim të gabuar asaj. "Serbia dëshiron që në GJND të kthejë orën prapa, por ajo nuk mund të kthehet", ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, për të shtuar se zgjidhja është në përfshirjen e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. "Ne nuk i shohim këto seanca si armiqësore ndaj Serbisë.
Dy dekadat e fundit kanë qenë traumatike për Ballkanin dhe demokracia në Serbi nuk është më e vjetër se ajo në Kosovë. Rajonin duhet çuar përpara", ka thënë Deniel Betlhem, për të pčrfunduar se pavarësia e Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.
Përfaqësuesi tjetër i Britanisë së Madhe, Xhejms Kreford, ka pohuar se e drejta ndërkombëtare nuk autorizon, por as nuk ndalon shpalljen e pavarësisë. Shkëputja nuk është akt joligjor dhe as ligjor, por akt neutral, ka thënë Kreford. Rrjedhimisht, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ka thënë Kreford dhe ka përfunduar se "Serbia nuk bën të fokusohet vetëm në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe në të gjitha ato zhvillime që i kanë paraprirë asaj".







All the contents on this site are copyrighted ©.