2009-12-10 16:58:46

Me 10 dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut


Dita e 10 dhjetorit na kujton datën e rëndësishme të 10 dhjetorit të vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi solemnisht Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut, një nga aktet e para ndërkombëtare të kësaj asambleje.
Me këtë Deklaratë, shtetet nënshkruese impenjoheshin për të mbrojtur të drejtat themelore të shtetasve. Kundër shkeljeve të mundshme do të ndërhynte një Komitet i themeluar me qëllim që të merrte masa ndeshkimore.
Në nenin e parë të Deklaratës Universale mbi të drejtat e njeriut shkruhej: të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë, me të njëjtin dinjitet e të njëjtat të drejta. Ata janë të pajisur me arsye e ndërgjegje, prandaj duhet të sillen njëri me tjetrin me frymën e vëllazërisë!
 
60 vjet më parë, më 10 dhjetor, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur në Paris, adoptoi Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, që përbën edhe sot një pikë shumë të lartë referimi për dialogun ndërkulturor mbi lirinë e të drejtat e njeriut. Dinjiteti i çdo njeriu garantohet me të vërtetë, vetëm atëherë kur të gjitha të drejtat themelore njihen, mbrohen, promovohen. Kisha ka ripohuar gjithnjë se të drejtat themelore janë universale, sepse të rrënjosura thellë në vetë natyrën e njeriut.

Ligji natyror i shkruar nga Zoti në ndërgjegjen njerëzore, është emërues i përbashkët për të gjithë njerëzit, të gjithë popujt: është prijës universal, që mund ta njohin e ta kuptojnë të gjithë. Thotë Papa Benedikti XVI: “Të drejtat e njeriut themelohen nga Hyji krijues, i cili u dhuroi të gjithëve arsyen e lirinë. Shkëputur nga kjo bazë e shëndoshë etike, të drejtat njerëzore mbeten të brishta, sepse pa themelin e tyre të fortë”.

Kremtimi i 61-vjetorit të Deklaratës është edhe rast i përshtatshëm për të verifikuar se në çfarë mase idealet, e pranuara nga shumica e bashkësisë së Kombeve më 1948, respektohen sot në ligjshmëritë e ndryshme kombëtare e, sidomos, në ndërgjegjet e individëve e të kolektivave. Nuk ka dyshim se është bërë një rrugë e gjatë por mbetet akoma shumë për t’u bërë. E kjo, sepse miliona njerëzve u shkelet e drejta për të jetuar, u mungon liria e siguria; u dhunohet barazia e dinjiteti, ndërsa mure të reja ngrihen për shkak të racës, të fesë, të opinioneve politike e të bindjeve të tjera.
Urojmë të vijojë me hov të ri impenjimi për t’i promovuar e për t’i përcaktuar më mirë të drejtat e njeriut si edhe përpjekja për të garantuar respektimin e tyre.
***
Gjendja e të drejtave të njeriut në botë gjatë vitit 2009
Nga Irani në Birmani dhe nga Darfuri në Guantanamo, viti 2009 ka qenë një vit plot me sfida dhe përparime të rëndësishme për të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Sot, më 10 dhjetor, Kombet e Bashkuara shënojnë Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Tom Malinouski, ekspert i politikave të jashtme dhe aktivist në organizatën Human Rights Watch në Uashington, është i ndërgjegjshëm për aftësitë e njeriut për trajtime mizore dhe për keqpërdorim të forcës. Ai veçon si shembull shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në rajonin e Darfurit në Sudan. Pastrimet etnike nga militantë arab dhe qeveria sudaneze kanë shënuar rënie që prej pikës më të lartë në fillim të kësaj dekade, por dhuna e fuqishme dhe sporadike ka vazhduar atje në 2009. Por ka pasur përparime në lehtësimin e kësaj krize. Malinouski nënvizon se ndërsa Kina vazhdon të bëhet një ndër vendet më të fuqishme të botës, udhëheqësit e saj po përballen me përgjegjësi si asnjëherë me parë. Ky vit ishte i mirë dhe i keq për aktivistët e demokracisë.
Malinouski nënvizon represionin e vazhdueshëm në Kubë, Birmani dhe Korenë e Veriut. 2009 a, po ashtu, shënoi fillimin e një lëvizjeje masive të opozitës në Iran, e cila deklaroi se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të qershorit. Në Afganistan, aktivistët thonë se të drejtat e grave janë përmirësuar që nga viti 2001 kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj larguan me forcë qeverinë pushtuese të udhëhequr nga Talebani.
Sipas Zhan Filip Shasi nga organizata ndërkombëtare për imigrantë me bazë në Gjenevë, vazhdimi i krizës ekonomike globale të 2009 ka shkaktuar vështirësi më të mëdha tek vendet në zhvillim pasi shumë njerëz atje edhe para kësaj krize përballeshin me kushte shumë të vështira ekonomike. Shasi nënvizon mundësitë më të vogla për imigrantët ligjor nga Afrika veriore për në Spanjë për punë shtëpiake dhe pasi papunësia ishte e madhe në Evropë në vitet e fundit, imigrantët ishin shumë më pak të mirëpritur.
Gratë dhe fëmijët kanë qenë të ndjeshëm ndaj shfrytëzimit seksual dhe skllavërisë dhe trafikimit. Shasi thotë se edhe të drejtat e njeriut të imigrantëve meshkuj brenda Afrikës kanë qenë në rrezik më të madh në 2009 ën. Pavarësisht nga shpresat se situata e të drejtave të njeriut do të përmirësohet në 2010 ën, Tom Malinouski dhe aktivistë të tjerë thonë se ata do të vazhdojnë të luftojnë për një botë, ku çdo njeri gëzon siguri, liri dhe mirëqenie ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.