2009-12-10 17:23:31

Kosova përkujton 30 vjetorin e nderimit të Lumes Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiut me Çmimin Nobel për Paqe e shpallë vitin 2010 "Vit të Nënë Terezës"


(10.12.2009 RV)Me një akademi solemne, nën kujdesin e Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, sot në Prishtinë u përkujtua laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Nëna Terezë, pikërisht në 30-vjetorin e nderimit të saj me ketë çmim prestigjioz dhe në Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në këtë solemnitet, ku merrnin pjesë personalitete të vendit dhe të huaj, Presidenti Sejdiu vitin e 2010 e shpalli "Vit të Nënës Terezë", pikërisht në 100-vjetorin e lindjes së saj së saj. Nëna Terezë është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 1979.
Presidenti Sejdiu në fillim të fjalës së tij tha se tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të sajin shkroi këto fjalë: "Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve". Këto fjalë, të shkruara me thjeshtësi e sinqeritet, vashdoi Presidenti Sejdiu, tregojnë shpirtin e rrallë të Nënës Terezë.
Fjalia e parë, tha ai, dëshmon përkushtimin dhe dashurinë e saj për kombin të cilit i përkiste, duke e përforcuar këtë lidhje të pashkëputshme të saj me fatin e rëndë të kombit shqiptar në shekullin njëzet. Ndërkaq, duke folur për figurën e humanistes së madhe, Presidenti Sejdiu tha se Nëna Terezë ishte shqiptare e lindur në Shkup, me prindër nga Kosova, të cilët e kishin edukuar në frymën e vërtetë të shpirtit shqiptar, në frymën e dhembshurisë, të humanizmit dhe të dashurisë për njeriun. "Ndaj, lutja e saj njeh shkallëzimin ngjitës dhe zgjerohet në tërë botën, bëhet universale, ashtu siç ishte zemra e saj", tha ai.
Presidenti Sejdiu vlerësoi se Nëna Terezë si "bijë e urtë e popullit shqiptar, është personalitet i rrallë edhe i Kishës Katolike Shqiptare", e cila, siç tha, e vazhdoi në mënyrë shembullore udhën e madhe të Papa Klementit, Pjetër Budit, Atë Shtjefën Gjeçovit dhe shumë e shumë misionarëve të tjerë, që dhanë aq shumë për fe e për atdhe. Por mbi të gjitha ai tha se "Nëna Terezë, padyshim, është bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit". "Ajo është shqiptare, po, gjithashtu, është edhe indiane, italiane, amerikane, angleze. Të gjithë duan ta identifikojë si të tyren, të gjithë duan të shëmbëllejnë me të. Dhe kanë të drejtë, sepse ajo nuk ishte vetëm jona, vetëm e ne shqiptarëve, por ishte e botës mbarë, e gjithë njerëzimit", tha Sejdiu.
Në fjalën e tij Presidenti Sejdiu gjithashtu tha se "Nëna Terezë është mishërim i të gjitha virtyteve më të mira të njeriut shqiptar, por edhe të njeriut të botës", por njëherësh "ajo është shembull i papërsëritshëm i flijimit të përditshëm për njerëzit e lënë, është shembull i besimit në Zotin dhe në Njeriun". Presidenti Sejdiu rikujtoi se përveç Çmimit Nobel, Nëna Terezë është nderuar edhe me shumë çmime të tjera të mëdha që jep sot bota, si: Çmimi "Pamada Shir" (1962), mirënjohja më e madhe kombëtare indiane, Çmimi "Papa Gjoni XXIII për Paqe" (1971), mirënjohja e parë e madhe nga Kisha Katolike, e cila iu dha nga vetë Papa Pali VI, Çmimi "Xhon Kenedi" (1971), Çmimi "Nehru", Çmimi "Nëna e të gjitha nënave" (1973), Çmimi "Medalja e Lirisë" (1985), i cili iu dha nga vetë Presidenti amerikan Ronald Regan. Më 28 tetor 1996, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e shpalli Nënën Terezë "Qytetare Nderi e Republikës së Kosovës", ndërsa në të njëjtin vit, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha e nderoi Nënën Terezë më "Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar".
Presidenti Sejdiu tha se duke i pasur parasysh të gjitha virtytet dhe cilësitë e rralla njerëzore e kombëtare të Nënës Terezë, duke pasur parasysh veprën e saj të madhe jetësore, ka marrë vendim që të shpallë vitin 2010, vitin që shënon njëqindvjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, "Vit të Nënës Terezë". Me këtë, ai njëkohësisht, deklaroi se jep Patronazhin e tij për të gjitha veprimtaritë që Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore do të organizojnë për ta nderuar e për ta lartësuar emrin e ndritur të Nënës Terezë. Nëna Terezë botërisht u shpall "Personalitet i Shekullit XX". Shpallja e vitit 2010 "Vit i Nënës Terezë" është një mirënjohje jona e vogël për këtë bijë të madhe të botës shqiptare dhe të gjithë njerëzimit, tha në fund Presidenti Sejdiu.
E tani nga Prishtina te ndjekim sherbimin e Rabie Ibrajt.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.