2009-12-10 16:50:07

Benedikti XVI ambasadorit të ri të Kubës: përparime në fushën e lirisë fetare. Ulja e tensionit me SHBA mundësi për përparim.


(10.12.2009 RV)Ulja e tensionit me SHBA, përmirësimi i lirisë fetare, kriza ekonomike botërore që embargoja në Kubë e ka bërë më të mprehtë e që kërkon të përballohet “duke u nisur nga një bazë etike e fortë” për mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve. Këto qenë faktet kryesore që Papa Racinger vuri në dukje në lidhje me gjendjen në Kubë në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri të Kubës pranë Selisë Shenjte Eduardo Delgado Bermudez, që Papa priti sot paradite në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale:

Para 12 vjetësh Papa Gjon Pali II, në një situatë të ndryshme ndërkombëtare, uronte që “Kuba t’i hapej mundësive të mrekullueshme të botës dhe bota t’i hapet Kubës”. Tani, pas kaq kohe, Benedikti XVI e sheh se një pjesë e atij urimi është realizuar. “Kuba, tha Papa, ka arritur të luaj një rol vendimtar, në veçanti në kontekstin politik dhe ekonomik të Karaibeve dhe të Amerikës Latine”. Por në krahasim me vitin 1998 vlen të përmendet veçanërisht hapja ndaj fqinjit gjigand SHBA:

Papa: Disa shenja të uljes së tensionit me SHBA na bëjnë të parashikojmë mundësi të reja për një afrim që paraqet avantazhe për të dyja palët, në respektimin e plotë të sovranitetit dhe të së drejtës të shteteve dhe të shtetasve përkatës”.

Sot, vuri në dukje Benedikti XVI, Kuba ndahet në shenjë për bashkëpunimin e saj me shumë vende “në degë të rëndësishme si arsimimi dhe shëndetësia” dhe në promovimin e bashkëpunimit dhe të solidaritetit ndërkombëtar”. Dhe kjo pavarësisht situatës ndërkombëtare që i shtrëngon qeveritë, - pohoi Papa – “t’i përballojnë pasojat e krizës financiare por pa lënë mënjanë kërkesat themelore të shtetasve.”

Papa: Si shumë vende edhe vendi i juaj i vuan pasojat e krizës globale, që bashkuar me pasojat e fatkeqësive natyrore dhe të embargos ekonomike po godasin mbi të gjitha personat dhe familjet më të varfëra. Në këtë gjendje të ndërlikuar paraqitet edhe një herë nevoja urgjente për një ekonomi, që e ndërtuar mbi baza të shëndosha etike, të vërë individin dhe të drejtat e tij, mirëqenien e tij materiale dhe shpirtërore, në qendër të interesave të saja.

Impenjuar prej muajsh për përgatitjet e kremtimeve të vitit 2012, të katërqindvjetorit të zbulimit dhe të pranisë të Zojës së Dashurisë, Nënë dhe Pajtore e Kubës, Kisha e vendit është një institucion, siguroi Papa, që dëshiron të kontribuojë me ndihmën e vet modeste dhe efikase. Përforcimi i bashkëpunimi që është arritur me autoritetet në vendin tuaj” vuri në dukje Benedikti XVI duke iu drejtuar ambasadorit të ri kuban, ka mundësuar “realizimin e disa projekteve të mëdha dhe asistencën për rindërtim në veçanti në rastet e fatkeqësive natyrore”. Në këtë klimë pozitive, Papa Racinger tha:

Papa: Shpresoj që të vazhdojnë të shumëfishohen shenjat konkrete të hapjes për ushtrimin e lirisë fetare siç ka ndodhur vitet e fundit, fjala vjen mundësia për të kremtuar Meshën në disa burgje, realizimi i disa projekteve fetare; meremetimi dhe kthimi për përdorim i disa objekteve të kultit dhe ndërtimi i disa kuvendeve, apo mundësia për mbrojtje sociale për meshtarët dhe rregulltarët. Kështu bashkësia katolike do të mund ta zbatojë më lirisht misionin e vet të veçantë baritor. – nënvizoi Papa.

Rrënjët e vjetra të krishtera, vazhdoi më pas Ati i Shenjtë, i kanë dhënë Kubës “një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe morale që ka ndihmuar në mënyrë vendimtare për krijimin e shpirtit kuban, duke i dhënë atij një personalitet dhe karakter të vetin”. Këtu hyjnë vlerat morale dhe shpirtërore si respekti për jetën nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, që e bëjnë ekzistencën njerëzore më të denjë”. Ati i Shenjtë Racinger e përfundoi fjalën e vet me urimin që dialogu me autoritetet kubane, sikurse edhe me shtetet e tjera, të çojë në përcaktimin e një kuadri normativ për një “dialog të saktë që s’është ndërprerë kurrë me Vatikanin, i cili të garantojë një zhvillim të përshtatshëm të jetës dhe të veprimtarisë baritore të Kishës në Kubë”:

Papa: Në këtë kuptim, shërbimi themelor që ofron Kisha kubane është kumtimi i Jezu Krishtit dhe i mesazhit të Tij të dashurisë, të faljes dhe të pajtimit në të vërtetën. Një popull që ecë në këtë rrugë harmonie është një popull që ushqen shpresa për një të ardhme më të mirë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.